Kjo ka qenë deklarata e parë e Presidentit të FSHF-së Armando Duka, pas largimit të italianit Tramezzani nga stoli i Kombëtares Shqiptare. Në një Intervistë për ‘’SuperSport’’, Duka ka folur për disa nga temat që shqetësojnë momentalisht Kombëtaren e Futbollit, duke filluar edhe nga ndeshjet jo të mira që skuadra jonë ka luajtur këto dy herët e fundit.
‘’Ndeshja me Izraelin duhet të jetë një pikë kthese. E them me bindje të plotë që është një skuadër më e dobët se ne, ashtu sikurse them edhe për Maqedoninë’’, u shpreh Presidenti Duka.
Ndërkohë që për të ardhmen e De Biazit në stolin kuqezi Duka tha: ’’ De Biazi? Nëse ka një ofertë më të mirë për të, le të vazhdojë. Ne kemi një marrëveshje e cila duhet të respektohet. Mund të ndodhë si me Tramezzanin. Të gjithë janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Nuk pengojmë njeri, thjesht duhet të jemi transparent. Pjesa tjetër nuk ndikon për asgjë’’.