Pas letrës drejtuar Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç, kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, i ka dërguar një letër edhe homologut kosovar, Hashim Thaçi.
Në letrën e publikuar nga mediet kosovare Trump teksa përgëzon mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të Pavarësisë, ndërsa paralajmëron se SHBA-ja mban partnerë vetëm ata që janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda.
“Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Trump.
Letra e plotë e presidentit të SHBA-së, publikuar nga Zyra e Presidentit Thaçi:
I nderuari Z. President:
Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj
Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.
Sinqerisht,
Donald J.Trump
(B.B/ Faxweb.al)