Sinoptikania Adiola Bami ka folur për temperaturat e ditës së sotme, duke thënë se rebeshet do të ndikojnë duke larguar sado pak të nxehtin përvëlues që ka përfshirë të gjithë territorin e vendit. “Gjatë pasdites pritet të kemi rënie të temperaturave si pasojë e rebesheve që kemi pasur në veriperëndim të vendit dhe pjesërisht në zonat qendrore dhe ato lindore”, tha Bami për Fax News.
Sinoptikania e Meteoalb u shpreh se çdo person që ka planifikuar pushime deri në fund të Gushtit, nuk duhet të shqetësohet aspak për motin pasi nuk do të mungojnë aspak rrezet e nxehta të diellit. “Duke filluar nga dita e mërkurë, së bashku me fundjavën, do të kemi mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta. Kështu që do të mbyllet një muaj me diell dhe temperatura të larta”, tha Bami.
Këto temperatura do të vijojnë deri në muajin Shtator, sidomos në 10 ditëshin e parë ku moti do të jetë po aq i nxehtë sa Gushti.
“Do të paraqitet me mot të kthjellët dhe temperatura të larta pasi 10 ditëshi i parë i shtatorit do të jetë me më shumë kthjellime, përjashtuar me zonat malore ku herë pas here do të kemi rebeshe afatshkurtra. Ndërsa bregdeti do të jetë me kthjellime dhe temperaturat do të jenë të larta ku maksimumi paraqitet të jetë 35-36 gradë Celsius”, tha Bami.(A.M/Faxweb.al)