Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një intervistë për Fax News, tha se gjatë natës flakët e zjarrit që po djegin prej më shumë se 10 ditësh Karaburunin kanë avancuar në drejtim të Dukatit dhe bazës ushtarake të Pashalimanit, për të cilën tha se do të mbrohet me çdo kusht.
Sipas Peleshit përhapja e flakëve është favorizuar si pasojë e erës që ka fryrë gjatë natës, ndërkohë që duket se derimë tani nuk ka ende një operacion të mirëfilltë nga ajri për shuarjen e zjarreve.
Ministri tha se ka kontakte të vazhdueshme për ndihmë nga shtetet fqinje, por ndihma duket e pamundur sa kohë që dhe këto vende janë duke përjetuar situata të ngjashme me zjarret, ku temperaturat në të gjithë rajonin janë duke shënuar rekorde.
“Ditën e sotme kemi një avancim të zjarreve në Karaburun, si në Dukat ashtu dhe drejt Pashalimanit, për shkak të erës së fortë, sot kemi angazhuar trupa të shumta të forcave të ushtrisë, rreth 500 trupa të FA-ve, një pjesë e tyre po transportohen me helikopter në drejtim të Dukatit, për të punuar atje.
Rreziku është prezent gjithmonë, por për momentin nuk ka zjarr në afërsi të banesave, zjarri po përparon me shpejtësi, për shkak se është në një zonë me shkurre, është afër zonës me pisha. Edhe në Pashaliman kemi një afrim të zjarreve gjatë ditës së sotme, po ndërtojmë një kordon me trupa dhe me mjete rreth bazës ushatarake, do menaxhohet me çdo çmim.
Në situata të tilla emergjente, mjetet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme, kapacitetet që ne kemi dihet që janë të kufizuara, edhe shtetet e tjera fqinje si Italia apo Turqia kanë kërkuar ndihmë. Por dua të konfirmoj se nuk është çështje e mungesës së një apo dy helikopteri, por këto vatra po përhapen papritur dhe gjithandej, nuk është çështje e përqëndrimit të mjeteve.
Helikopteri për momentin po transporton ushtarët drejt Dukatit, kemi kërkuar ndihmë nga të gjitha drejtimet, nga Kroacia dhe Kosova, vetë kryeministri ka folur me Italinë, megjithatë jemi në radhë për të marrë mbështetje nga shtetet fqinje.
Të gjitha kapacitetet tona janë të gatshme”, tha Peleshi gjatë bisedës telefonike në Fax News.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes vatra e zjarrit në fshatin Dukat nuk u duk serioze fillimisht, dhe përparoi në mënyrë të shpejtë brenda dy ditëve, duke shkaktuar dëme të pariparueshme në zonën e pyllit.
(E.K/Faxweb.al)