Valon Behrami ishte një nga futbollistët më në formë, gjatë mbrëmjes së djeshme në sfidën e madhe të Botërorit Brazil–Zvicër, e cila u mbyll me rezultatin 1-1. Mesfushori me origjinë shqiptare ja arriti qëllimit në këtë sfidë, duke u bërë “mur pengese” për yllin e Brazilit Neymar. Me vendosmëri dhe forcë, Behrami nuk i la “shteg” sulmuesit brazilian t’i afrohej zonës së Zvicrës dhe më tepër të depërtonte topin në rrjetë.
Si “shpërblim” për këtë ai ka marrë një super puthje nga e dashura e tij spikerja Lara Gut. Behrami ka dhënë një intervistë për “BLICK”, ku është treguar shumë modestë duke thënë se ishte duke bërë punën e tij. Behrami u shpreh se :
“Unë bëra punën time dhe në fund ia arritëm qëllimit të merrnim rezultat pozitiv. Brazili krijoi volum të madh loje, ndërsa Neymar ishte gjithë kohës i shtrirë në tokë. Ai gjithmonë provokon, nëse e prek pak rrëzohet dhe bën që të duket si diçka e rëndë. Diçka shumë e keqe, sepse është një lojtar i madh, nga më të mirët, ndaj të cilit kam luajtur.
Kur bën një faull, nuk do të thotë se gjithmonë lojtari kundërshtar dëmtohet. Loja vazhdon. Unë këtë stil loje kam, këtë mentalitet, ndryshe nga Neymar. U zëvendësova, sepse kisha probleme muskulore. Kam marrë një goditje dhe të shohim si do të shkojë situata. Shpresoj të jem ndaj Serbisë. Jam 33 vjeç dhe kam nevojë për të paktën dy ditë pushim.
Ndeshja me Serbinë do të jetë shumë e rëndësishme. Shpresoj të luaj dhe të fitojmë”,përfundoi deklaratën e tij mesfushori i Zvicrës. (B.H/Faxweb)