Ish-kryeministri Sali Berisha do ti rikthehet sot takimeve me demokratët në bazë, pas vendimit të së premtes që dha Gjykata e Tiranës, e cila njohu Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues të PD-së, duke legjitimuar dhe Kuvendin e mbajtur në 11 Dhjetor.
Berisha do të ndalet sot në Jug të vendit ku pritet që të ketë takime me demokratët e Tepelenës dhe Përmetit, në kuadër të një turi, që sipas tij do të jetë përbashkues.
“E diele, ne ora 11:00 Foltore me qytetaret e Tepelenes, dhe ne ora 13:00 me qytetaret e Permetit.
Ftoj te gjithe qytetaret te marrin pjese! Sb”, shkruan Berisha në postimin e tij në rrjetet sociale.
Pas vendimit të Gjykatës, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, me në krye vetë Berishën, u rikthyen në selinë e PD-së, në ambientet e të cilës zhvilluar dhe mbledhjet e radhës, si dhe mbajtën deklaratë për mediat.
Vetë Berisha pati një takim me Gazment Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn, të cilët një nga kushtet për bashkimin kishin moskandidimin e ish-kryeministrit për kreun e partisë, gjë e cila është përjashtuar kategorikisht si mundësi prej tij.
Berisha ka thënë se ai do të kandidojë, në respekt të të gjithë atyre demokratëve që i dhanë mbështetje në zgjedhjet e 6 Marsit.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post