Kryetari i PSD-së, Paskal Milo, e cilësoi marrëveshjen me LSI-në si një marrëveshje të natyrshme të partive që ndajnë vlerat e përbashkëta. Ai theksoi se kjo marrëveshje do të materializohet gjatë fushatës elektorale dhe më pas gjatë qeverisjes së vendit.
Sipas Milos, nënshkrimi i kësaj marrëveshje duhet të shërbejë si shembull për politikën shqiptare.
“Marrëveshja që sapo u nënshkrua me kryetarin e LSI-së, është një marrëveshje e natyrshme e dy partive tona që ndajnë vlera të përbashkëta, që institucionalizon një bashkëpunim që do të materializohet gjatë fushatës zgjedhore, gjatë qeverisjes së vendit.
Niset gjithmonë nga interesat për zgjedhje të lira e të ndershme. Është një marrëveshje që dy partitë e bëjnë me synimin e vetëm për të pasur një rezultat maksimal që rëndësia dhe roli të manifestohet gjatë dhe pas fushatës.
Është një bashkëpunim vlerash i dy partive tona. Nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm ta çoj këtë mesazh që të shikohet si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një garanci që demokracia sociale merr se do të ketë mbështetje të plotë në fushatën e saj elektorale dhe një mbështetje të plotë në bashkëqeverisjen e vendit.
Kjo është një marrëveshje shumë e dobishme jo vetëm për partitë tona, por dhe model si duhet të bashkëpunojnë ato me vlera të përbashkëta. Ndonëse nuk na lejohet një koalicion, kjo është një formë e dobishme marrëveshje. Model që politika shqiptare duhet ta bëjë pjesë të kulturës së saj.”, u shpreh ndër të tjera Milo.
(XH.A/SHUPLAKA)