Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo në një intervistë për emisionin “45 minuta” në Report Tv u shpreh sot se marrëveshja e 18 majit edhe pse u firmos nga Basha është pakt mes Ramës dhe Berishës. Ai po ashtu shtoi se PS nuk merr më shumë se 60 mandate.
“Pakti më Bashën është marrëveshja Rama-Berisha si ajo e prillit të vitit 2008. Pavarësisht se firmën e vendosi Lulzim Basha, marrëveshja është Rama-Berisha”, -u shprehMilo.
Qeverinë e re me ministrat dhe zëvendës kryeministren teknike Milo e cilësoi si më qesharaken që Shqipëria ka pasur pas vitit 1991. Sipas tij emrat e rinj nuk kanë në dorë asgjë dhe janë thjesht disa të deleguar të PD që kanë marrë me qira zyrat për një muaj.
“Qeveria më qesharake që ka pasur Shqipëria nga viti 1991 e këtej, për nga mënyra si u formua dhe për nga kompetencat që kanë ministrat teknikë dhe zv/kryeministrja. Ata nuk do të bëjnë asgjë, nuk kanë në dorë të bëjnë asgjë. Me pak fjalë janë disa të deleguar të PD që kanë marrë më qira për një muaj zyrat.
Rama mund t’i mbledhë sa për sy e faqe ose për të marrë ndonjë vendim që mund të merret në rrethanat e fushatës, por kjo qeveri nuk ka më vendimmarrje të rëndësishme”, deklaroi Milo.
Sipas Milos asnjë parti nuk do të mund të qeverisë e vetme ndaj tha se janë më të mundshëm koalicionet PS-LSI ose PD-LSI, në rast se nuk diktohet nga partnerët ndërkombëtarë bashkëqeverisje PD-PS.
“PS do jetë parti e parë, por shifra më e lartë nuk i kalon 60 vendet në Parlament, parashikoj rritje të lehtë të PD dhe të LSI. Do ketë patjetër koalicion post zgjedhor. Në Shqipëri nuk ka terren për koalicion PD-PS, pasi edhe elektorati nuk ka kulturë ta gëlltisë këtë”, -tha ai.
Kur u pyet se sa mandate ka si synim të marrë PDS, ai u shpreh se 2-3.
(M.D/Shuplaka)