Një operacion ndërkombëtarë i realizuar nga Europol kundër mafias shqiptare i zhvilluar në 4 vende të ndryshme të Bashkimit Europian, ka bërë të mundur arrestimin e 64 shtetasve shqiptarë, pjesë të një grupi të strukturuar kriminal.
Shqiptarët janë arrestuar në harkun kohorë nga data 3 deri me datën 5 prill, ndërkohë bëhet e ditur se mbi ta rëndojnë akuzat për trafikim të qenieve njerëzore, trafikimit të lëndëve narkotike, pastrim parash të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm
Në operacionin ndërkombëtarë të Europol janë përfshirë rreth 600 efektivë dhe është shtrirë në katër vende të ndryshme, konkretisht në Francë, Belgjikë, Hollandë dhe Itali.
Mësohet se hetimi ndërkombëtar është udhëhequr nga autoritetet belge duke qenë se pjesa dërrmuese e të arrestuarve janë ndaluar në këtë shtet.
Policia Europiane bën me dije se 55 persona janë arrestuar në Belgjikë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, 7 në Holandë dhe 2 të tjerë në Francë.
Europol njofton se goditja e grupeve të tilla kriminale do të vijojë nga ku priten edhe arrestime të tjera, duke shtuar se ky llojn aktiviteti vijon të mbetet shqetësues për vendet e BE-së.
“Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të mbetet një shqetësim për vendet në Evropë. Në mars, ekspertët mbi krimin shqiptar u mblodhën në selinë qendrore të Europol në Hagë për të diskutuar mënyrat për t’i trajtuar më mirë këto klane të dhunshme të mafias. Operacionet e mëtejshme të këtij lloji pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt” shkruhet në njoftimin e Europol.
(F.GJ/FAXWEB.AL)