Në kuadër të operacionit “Pastrojmë Shqipërinë që duam” Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, organizon në datat 15, 16 dhe 17 Dhjetor në Qarkun e Beratit, aksionin e pastrimit dhe rehabilitimit dhe gjelbërimit në moton “Pastrojmë Beratin që duam”.
Aksioni tre ditor fillon në orën 09.00 te Pallati i Kulturës në Berat. Në krye të aksionit do të jetë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili lançoi më 24 nëntor 2017 operacionin “Pastrojmë Shqipërinë që duam”.
Gjatë ditës së parë të aksionit do të ndërhyhet në pastrimin dhe thellimin e shtratit të lumit Osum në segmentin Ura e Velabishtit – Uznovë.Do të pastrohet dhe do të zgjerohet kanali te lumit te shëtitorja Osumi, do të pastrohen inertet nga aksi Ura e Re Velabisht – Ura e Goricës, do të pastrohen në lagjet Goricë dhe 13 Shtatori, si dhe rrugët e sheshet në aksin Varreza Burdullias – Q.Kala. në aksin Ish Merkato – Q.Kala, por dhe rrugët kryesore në njësinë Administrative Otllak, Sinje, Roshnik, Velabisht.
Në këtë aksion në qarkun e Beratit janë përfshirë forcat e armatosura, prefektura, bashkitë Berat dhe Ura Vajgurore, TAP. Ecovolis, FRESSH Green, kompani private, shkollat e qarkut Berat, vullnetarë, qytetarë. Nga sipërmarrja private përfshihen me mjetet e tyre edhe Infinit – Construksion sh.p.k, Saimiri Grup 1981 shpk dhe Trans – BR Sh.p.k.
Në funksion të pastrimit do të vihen 7 mjete vetëshkarkuese, 9 skrepa dhe 3 mjete të firmave të pastrimit. Gjatë dy ditëve të tjera të aksionit do të bëhet pastrimi i segmentit të akseve kryesore të rrugëve; Ura Vajgurore dhe Berat, nga mbetjeve pas daljes së lumit nga shtrati, rehabilitimi dhe më pas gjelbërimi me fidanë të rinj që do të mbillen nga vullnetarët, nxënësit e shkollave dhe forcat e armatosura. (J.V/Faxweb)