Gjykata për Krimet e Rënda ka hedhur në short kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së deputetit socialist Alfred Peza.
Gjyqtarja që do të kryesojë trupin gjykues është Daniela Shirka, raporton Panorama.
Disa ditë më parë Prokuroria dorëzoi në gjykatë kërkesën për sekuestrimin e pasurisë 1.1 miliardë lekë të deputetit të PS-së.
Kjo shumë parash është përdorur për blerjen e një përqindje të aksioneve në një biznes privat.
Mësohet se në mënyrë të përsëritur deputetit socialist Peza dhe bashkëshortes, i është kërkuar që të paraqesë dokumente justifikuese në lidhje me pasurinë që ata zotërojnë por nga janari kur nisi hetimi deri tani, ata nuk kanë arritur të justifikojnë me burime të ligjshme shumën që disponojnë.
Kësisoj, prokuroria ka vendosur të kërkojë sekuestrimin e pasurisë në fjalë në mënyrë që ajo të mos tjetërsohet ndërsa vazhdon hetimi për “fshehje ose mosdeklarim të pasurisë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Hetimi filloi kryesisht nga prokuroria e përgjithshme pas informacioneve e dokumenteve të publikuara në media në lidhje me pasurinë e deputetit të PS Alfred Peza.
Daniela Shirka në Korrik të vitit 2015 është dekretuar nga presidenti Nishani në Gjykatën e Krimeve të Rënda. (M.D/ Shuplaka)