Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka shpallur dy vendime gjatë ditës së sotme për dy gjyqtarë, një në Tiranë, dhe tjetrën në apelin e Gjirokastrës.
Trupa Gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari pasi analizoi provat dhe faktet për subjektin e rivlerësimit Niko Rapi, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, për tri kriteret e vlerësimit, ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional vendosi shkarkimin e tij nga detyra, pasi nuk justifikoi pasurinë.
Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin, që nuk do ta ketë më pas ditës së sotme.
Gjithashtu Komisioni i Pavarur i Kualifikimi konfirmoi po sot në detyrë Irena Brahimin, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Trupa Gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici, Lulzim Hamitaj pasi analizoi provat dhe fakte për subjektin e rivlerësimit Irena Brahimi për tri kriteret e vlerësimit, ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional vendosi konfirmimin në detyrë të saj.
Irena Brahimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si gjyqtare e Gjykatës së Gjirokastrës. Prej vitit 2004, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës, nga sot ajo vazhdon detyrën.