Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi, teksa sulmon kastën politike shqiptare, ka bërë publik një lajm, se disa deputetë të majtë e të djathtë, janë gati të lënë mandatin për një opst tjetër.
Bëhet fjalë për 6 vakancat në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Lajmin e ka bërë publik me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa shkruan:
“Tani që është hapur tenderi për 6 vakancat në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, po rezulton se ka një numur të konsiderueshëm deputetësh, që janë të gatshëm të lënë mandatin në këmbim të “kapjes” së një prej këtyre vendeve.
E bukura qëndron në faktin se ata i përkasin të dy krahëve të politikës, si të qeverisë, ashtu edhe të opozitës.”
Sipas tij, kjo vjen për shkak të degradimit të këtij sistemi politik, të cilin po e braktisin edhe vetë protagonistët.
“Që do të thotë se ata që ngjanë kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin thuajse në çdo debat apo opinion, janë shumë të ngjashëm në dëshirën për t’i thënë lamtumirë Kuvendit të Shqipërisë, në rastin e parë që u del përpara.
Mos kujtoni se ka ndodhur ndonjë revolucion në parlament dhe as ka ndryshuar paga dhe benefitet e tjera në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, që i ka shtyrë deputetët të ëndërronë largimin.
Është thjesht një shenjë e qartë e degradimit të këtij sistemi politik, të cilin po e braktisin edhe vetë protagonistët. Dhe mos e çoni ndër mend se janë të pazotë ata që duan të ikin, për të mos thënë që janë ndër më të mirët”, – shkruan Patozi.
Më tej ai shprehet: “Por ta dini që tani se, nëse dëshira e tyre nuk do të plotësohet, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë arsye teknike apo proceduriale, por thjesht me refuzimin e liderëve supremë, që e kuptojnë domethënien e kësaj epidemie dhe duan ta evitojnë mesazhin e rëndë.
Që në këtë vend, për shkak të “Rilindjes” dhe “Republikës së Re” janë gati të ikin të gjithë, jo vetëm të varfërit dhe të pambrojturit, por edhe vetë deputetët.
PS. Çdo ngjashmëri me persona konkretë në këtë histori është e rastit.”
(B.B/ Faxweb.al)