Pas lajmit se Astrit Patozi do të nisë turin e tij nëpër Shqipëri, duke filluar nga qyteti bregdetar i Durrësit, ka reaguar vetë deputeti demokrat.
Patozi konfirmon lajmin ndërsa shton se në këtë takim që do mbahet në Durrës, do diskutohet për ringritjen e Partisë Demokratike, pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 25 qershorit.
“NESËR NË DURRËS “BASHKËBISEDIM NE DEMOKRATËT”
Nesër nisim në Durrës “bashkëbisedimin me demokratët”. Së bashku me disa kolegë të tjerë do të jemi në orën 19 00, në Pallatin e Kulturës “Aleksander Moisiu”.
Çfarë po ndodh në Partinë Demokratike dhe si mund të bashkohet e ringritur sa më shpejt ajo?
Është ky shqetësimi i madh i anëtarëve dhe simpatizantëve të PD, që kërkon zgjidhje, ndaj edhe mirëpritet kontributi i gjithësecilit. Vetëm bashkë mund t’ia dalim.”, shkruan Patozi.
Nisja e një turi nëpër Shqipëri për bashkëbisedime me demokratët, ishte alternativa e Patozit për ringritjen e Partisë Demokratike.
Kujtojmë se alternativën e tij, Patozi e shpalli vetëm një ditë më parë, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”.
“Ne nuk kemi mbret në PD. Ne nuk pranojmë që të kemi një mbret për kryetar, që thotë që unë me dy tre njerëz të shtëpisë i vendos të gjitha. Unë vetë bashkë me një grup kolegësh do të bëjmë një tur nëpër Shqipëri në mënyrë që të takohemi me demokratët dhe t’u kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për partinë tonë.
Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të reja. Do të ketë kërkesa institucionale për të ndërprerë farsën, nëse nuk ndodh do të shikojmë të gjitha mënyrat që ajo ditë të mos jetë e bekuar, por për t’u harruar”, ishin fjalët e Patozit. (D.D/Shuplaka)