I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi ka deklaruar se mbron idenë e një qeverie teknike, me një tjetër kryeministër socialist, mjaft që të mos jetë Edi Rama.
“Le të jetë një qeveri teknike me një kryeministër tjetër socialist. Të jetë një Qeveri që do të përgatisë zgjedhjet. Forcat politike duhet të arrijnë një marrëveshje jo vetëm për këto zgjedhje, por edhe për zgjedhjet në të ardhmen. Ta vendosim në Kushtetutë, ose ta kthejmë në zakon kushtetues, që 3 muaj para zgjedhjeve, qeveria tërhiqet dhe i lë vendin qeverisë teknike që organizon zgjedhjet”, tha Patozi.
Ndër të tjera, deputeti iu përgjigj akuzave se opozita do bojkotojë zgjedhjet e 18 qershorit. Sipas ti, këto janë thjesht sajesa të kundërshtarëve politikë.
“Për mua është jashtë çdo diskutimi. Unë e konsideroj sajesë të kundërshtarëve. Është shkëputur nga konteksti i fjalës së zotit Basha. Ne kemi mundësi të arrijmë edhe zgjidhjen edhe zgjedhje. Pra të arrijmë qeverinë kujdestare për zgjedhje normale. Kam bindjen se do ta zgjidhim këtë”, deklaroi Patozi.
Megjithatë, pas këtyre deklaratave të deputetit demokrat, deputeti socialist Eduard Shalsi i cili gjithashtu ishte i ftuar, tha se opozitarët kanë frikë të përballen me Edi Ramën.
“Makthi i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nga Edi Rama ka qenë, është dhe do të mbetet. I ka mundur në zgjedhjet e vitit 2000, në 2003, në 2007, në 2013 dhe 2015. PD ka frikë të përballet me këtë Kryeministër dhe këtë mazhorancë. Kjo Qeveri ka ndërmarrë reforma në të gjitha fushat. Janë të panumërta sukseset e kësaj mazhorance dhe këtij kryeministri”, tha Shalsi. (D.D/Shuplaka)