Partia Demokratike përmes deputetes Ina Zhupa ka denoncuar mashtrimin që sipas saj iu është vërë banorëve në Laç, me shtëpitë e rindërtimit.
Zhupa shkruan se çelësat u janë dorëzuar vetëm 4 familjeve, ndërkohë që pjesa tjetër e banorëve vijojnë të qëndrojnë në shtëpi me qera, duke rritur edhe kostot e buxhetit të shtetit, pasi trajtohen me bonus.
Postimi i Zhupës:
Gati 3 javë më parë, Edi Rama përdori presidentin e Turqisë për të mashtruar me apartamentet e ndërtuar nga turqit në Laç. Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por, në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propagandë.
Në kompleksin e pallatave të reja, nuk ka hyrë asnjë familje.
Gjithçka ishte një show, i vënë në skenë nga Edi Rama. Banorëve nuk u jep askush përgjigje pse nuk po futen akoma në shtëpitë e tyre. Sa më gjatë rrinë ata në shtëpi me qera, aq më i madh është dëmi që i shkaktohet buxhetit, duke paguar bonusin e qerave, ndërsa shtëpitë e reja kanë përfunduar së ndërtuari rreth 3 muaj më parë.
Qeveria dhe bashkia heshtin, duke sjellë vërdallë mbi 500 familje të Laçit, që po pengohen të hyjnë në shtepitë e tyre, të inauguruara 2 herë deri tani. Një herë nga Rama para Vitit të Ri, një herë nga Rama dhe Erdogan 3 javë më parë.