Pak para fillimit të protestës së opozitës ditën e sotme, pas apelit të ndërkombëtarëve për mos ushtrim dhune, Sekretari i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi ka mbajtur një deklaratë për shtyp ku është shprehur se Partia Demokratike distancohet nga dhuna dhe një gjë e tillë është bërë e qartë që me protestën e 11 Majit nga kryedemokrati Basha.
“Deklaratat e Ministrisë së Brendshme nxisin dhunën. Qeveria po qëndron në pushtet me vota të vjedhura. Dhuna nuk ka qenë dhe nuk do të jetë mjet i PD.
Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se opozita ka prodhuar bomba molotv janë mashtrime që bën MB për të frikësuar qytetarët. PD ka bërë thirrje që të vijnë të gjithë qytetarët që të protestohet në mënyrë paqësore. PD-ja ka refuzuar dhe refuzon dhunën për të ardhur në pushtet.”
Përsa iu përket shkrimeve në banesën e Bochard, “Shame on you”, ndërsa ka dënuar aktin, ai ka thënë se PD-ja nuk është përgjegjëse, duke i kërkuar prokurorisë të zbardh ngjarjen dhe të vërë përballë drejtësisë autorët.
“Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët dhe ti vërë ata para drejtësisë. Dhuna është elementi kryesor që po përdor Edi Rama për të mbajtur pushtetin…
Ne jemi distancuar nga dhuna dhe e kemi denuar atë, që nga protesta e 11 Majit, mediat kanë transmetuar live thirrjet e Bashës për mos ushtrim dhune gjatë protestës ndaj policisë.”
Deklarata e Sekretarit te Pergjithshem te PD, Gazment Bardhi:
Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit.
Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike.
Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.
Partia Demokratike ka thirrur sot një marshim proteste të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa.
I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet. Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata paërpara përgjegjësisë.
Dhuna është mjeti kryesor me të cilin Rama mban pushtetin, duke goditur qytetarët e pambrojtur. Është Edi Rama ai që nxorri me gaz lotsjellës nga shtëpitë banorët tek bregu i Lumit, që kërcënon banorët e Astirt me shkatërrimin e shtëpive, që ka futur në burgje mbi 10 mijë qytetarë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, që u ka hequr bukën e gojës mijëra të tjerëve. Ky është zemërimi në rritje i mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë, të poshtëruar e të dhunuar nga regjimi I Edi Ranës.
Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë hap prapa për të drejtën themelore politike të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo.
Protestat tona i shërbejnë vetëm këtij qëllimi. Ne jemi distancuar nga dhuna dhe e kemi dënuar atë që gjatë protestës së 11 Majit. Mediat kanë transmetuar live thirrjen e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për protestuesit, që të mos cënojnë asnjë polic në krye të detyrës.
Skenarët kriminlaë të Edi Ramës, pengimi i së drejtës për të protestuar për opozitës dhuna dhe terrori mbi protestuesit nuk kanë për të na ndalur. Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa, prandaj ne kemi mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të ndershëm.