Mustafa Nano mendon se në PD nuk do të ketë asnjë ndryshim. Basha do të vijojë të mbajë drejtimin e PD-së pasi sipas tij askush nga kundërshtarët e Bashës nuk ka asgjë për të ofruar.
Pavarësisht thotë Nano se Basha politikisht nuk është asgjë, të njëjtën gjë kanë treguar dhe Topalli dhe kompani.
Ai thotë se dhe termat e garës së barabartë që përdorin kundërshtarët e Bashës nuk janë aspak reale sa kohë që ata edhe pse kanë 20 vite në politikë nuk kanë reaguar asnjëherë për atë ccka ka ndodhur ndër vite në PD.
“Unë vazhdoj të mendoj për Bashën atë që kam menduar gjithnjë. Nuk kam njohur në politikën shqiptare gjë më të pavlefshme. Ai politikisht nuk është asgjë, është një enë e zbrazët. Mirëpo, pikërisht ky është edhe problemi i kundërshtarëve të Bashës në PD.
Ata po njësoj nuk përfaqësojnë asgjë politikisht. Sikur ata të përfaqësonin diçka në politikë, sikur të kishin një kauzë të tyren, tek e cila të besonin, nuk do duhej të mbanin rezultatin në zgjedhje si kriter që ndan të mirën nga e keqja. P
ërkundrazi, do duhej të vazhdonin të luftonin për kauzën e tyre edhe sikur Basha të korrte të njëjtën fitore që ka korrur Rama në anën tjetër (ky është, në të njëjtën masë, një problem edhe për PS-në; ja, njihni ju ndonjë socialist që të mos ketë hipur në trenin e fitores? Kur të vijë humbja do ta shihni se si do të shqyhen me sho-shoqin; thjesht për t’i zënë vendin Ramës),” shkruan Nano për Mapo.
“Ndokush mund të thotë se kërkesa e kundërshtarëve të Bashës për një garë të barabartë për kreun e partisë është një gjë parimore, s’ke ç’thua. Nuk është hiç kështu, në fakt. Një betejë është parimore kur ajo ngrihet mbi një parim. Por duhet të jesh naiv të besosh se kundërshtarëve të Bashës në PD u digjet barku për garën e barabartë.
Një pjesë syresh kanë afro dy dekada në politikë, dhe ata kurrë nuk janë dëgjuar të flasin për një garë të barabartë brenda partisë së tyre. Ashtu siç nuk janë dëgjuar të flasin edhe për çështje të tjera më të rëndësishme se sa barazia e garës brenda partisë. Dhe është kjo heshtje e tyre, përveç të tjerash, që ka krijuar një kulturë të caktuar brenda PD-së, ku një militant vlen më tepër se secili prej tyre e më tepër se çdo parim demokratik.
A nuk janë ata që kanë përsëritur pa fund frazën se “partia demokratike është parti qëndrestarësh”, pa e çuar në mendje që kjo ka qenë e është një frazë idiotike? Le t’ia shohin hairin kësaj partie qëndrestarësh tani. Para ca ditësh, ishte një qëndrestar ai që donte t’ia mbyllte Eduard Selamit portën e selisë së PD-së. Pas ca ditësh, do të jetë një qëndrestar tjetër që do t’u mbyllë portën Topallit e Co. E askush nuk do të çuditet. Askush nuk do dalë t’i mbrojë. Sepse as këta nuk kanë mbrojtur askënd në rrethana të ngjashme”, përfundon Nano.
(E.K/SHUPLAKA)