Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi ka reaguar pasi grupi parlamentar i PD, dorëzoi një kërkesë ndaj prokurorit të Përgjithshëm për hetimin e tij me akuzën se Kokoneshi ishte i dënuar në Itali për prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Kokoneshi u shpreh për Fax News se akuza të tilla ishin vetëm shpifje të grupit parlamentar të PD që kishin prapavijë politike. Sipas kryebashkiakut, kjo bëhej për ta vënë në trysni që të lejojë grabitjen e pronave në bregdetin e Divjakës.
“Nuk ekziston asnjë lloj akuze e tillë ndaj meje. Kjo kërkesë ka një prapavijë tjetër. Kjo vjen për shkak se unë kam vendosur që pronat e plazhit. Këta kërkojnë që të më fusin në trysni që unë të lejoj grabitjen e pronave. Kjo vjen për shkak të pronave të plazhit, sepse unë nuk i kam lejuar të bëjnë gjë. Në këtë rast bëjnë autogol sepse është vetë grupi parlamentar i 4 vjeçarit më parë që ngriti të njëjtën akuzë ndaj meje por ishte vendimi i prokurorit të Përgjithshëm që më nxorri të pafajshëm dhe se akuzat nuk kishin fare lidhje me mua”– u shpreh Kokoneshi.