Genta Vangjeli, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, ka dhënë sot një deklaratë për mediat nga selia blu. Vangjeli në denoncimin e saj të shoqëruar dhe me dokumente, shprehet se kryetari i Këshillit të qarkut Lezhë ka kryer veprime antiligjore duke dhënë leje ndërtimi për ndërtesa shumëkatëshe në Shëngjin.
Ajo thotë se me ndërtimin e këtyre ndërtesave zaptohet çdo pjesë të bregdetit të Shëngjinit dhe jo vetëm. Sipas saj pjesë e kësaj “skeme antiligjore dhe ndarjes së parave” janë edhe Bashkia e Lezhës, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, policia dhe prokuroria. Vangjeli thotë më tej se pasi përfundon ndërtimi me dokumente “antiligjore”, objektet legalizohen dhe nisin procedurat për shitjen e apartamenteve.
“Kështu pasurohen qeveritarët e Ramës, dhe pseudo biznesmenët të cilët pastrojnë paratë dhe sigurisht një pjesë e mirë e tyre vendosen në qarkullim për blerjen e votave sa herë ka zgjedhje. Partia Demokratike kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj leje ndërtimi dhe të tjerave të ngjashme me të duke kujtuar institucionet dhe shkelësit konkretë se kallzimi penal është gati.”, thotë Vangjeli ndër të tjera.