Pas mbledhjes së grupeve parlamentare respektive, dy partitë e opozitës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosën që ditën e nesërme, të jenë, si zakonisht, në Kuvend.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI njoftoi pjesëmarrjen e forcës së tij në punimet e nesërme në Kuvend. Sipas tij, ky është një vendim “për të qenë ballëpërballë me kryeministrin, për t’ia bërë të vështirë atij drejtimin popullit që e ka poshtëruar.”
Më herët, Partia Demokratike ishte e para që gjatë drekës, lajmëroi pjesëmarrjen në seancën plenare ditën enjte.
Sa u përket informacioneve nga selia Blu, deputetët u mjaftuan me një hatërmbjetje se “Edi Rama nuk duhet të ishte pjesëmarrës në seancë”, kërkesë të cilën Byroja e Kuvendit e hodhi poshtë disa ditë më parë. Jo vetëm kaq por thuhej se pjesëmarrja e deputetëve demokratë në Kuvend do të ishte për të mbështetur protestat ndaj Ramës.
Në takimin e mbrëmjes të së hënës së datës 2 prill 2018, fronti opozitar PD-LSI zhvilloi një mbledhje në selinë e Blu ku edhe lançoi nisjen e “Mosbindjes Civile”.
Dukej se situata ishte krejtësisht e pashpresë me Ramën e vendosur, sipas opozitës, për të mbajtur protestuesit kuksianë në burg, pa hequr dorë nga plani i tij për t’ia dhënë mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit koncesionarit dhe përveç këtyre, me krejt artikulimet për ish-ministrin trafikant, vjedhjet e së fundmi, me hyrjen e prillit, për TVSH-në mbi biznesin e vogël dhe taksën e ndërtesës.
“Do të jemi në krah të qytetarëve shqiptarë.
Në krah të njerëzve të thjeshtë që po vidhen dhe po poshtërohen nga një bandë kriminale në pushtet. Në krah të kuksianëve që u grabitën me taksën korruptive të Rrugës së Kombit. Në krah të qytetarëve që goditen me tarifat e shumëfishuara për banesat, për ujin. Me qytetarët që hiqen nga ndihma ekonomike
Zgjidhja është mosbindja qytetarëve. Dhe kjo nis që këtë javë me refuzimin të çdo takse tjetër që ka vendosur qeveria Rama. Kjo, si forma më e lartë e veprimit politik dhe qytetar.
Cdo qytetar të refuzojë çdo taksë koncensionare dhe çdo rritje takse. Taksa të rritura për të mbushur xhepat e Edi Ramës. Ka vajtur aty ku nuk mban më, nuk ja dalin dot më njerëzit. Në këtë betejë të tyre do të kenë në krah opozitën.”
Kështu u shpreh Lulzim Basha në përfundim të mbledhjes ku së bashku me kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, vendosën rrugën e mosbindjes civile deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.
Ditën e enjte, më datë 5 prill, opozita provoi të vinte në jetë planin e saj duke bllokuar me protestues disa prej akseve kryesore të vendit, për disa orë me rradhë gjatë paradites.
Pas aktit të parë të mosbindjes civile, nuk pati asnjë plan të qartë për një akt të dytë të përshkallëzuar të kundërshtimit të gjithçkaje për të cilën dy kryetarët e partive opozitare, patën akuzuar si abuzim të kryeministrit.
As marrëdhënia që dy partitë PD dhe LSI do të mbanin me Kuvendin, nuk u bë e qartë në momentin kur ata deklaruan mosbindjen civile si aktin më të lartë “politik e qytetar.”
Kur më 2 prill, gjatë shpalljes mediatike të mosbindjes civile, kryetari Basha u pyet për raportin që do të mbante me Kuvendin, ai u përgjigj:
“Ne do ndërthurim të gjitha format e nevojshme të aktivitetit opozitar ashtu siç e gjykojmë të përshtatshme për të arritur qëllimin për të qenë në krah të njerëzve të thjeshtë dhe të vuajtur të këtij vendi.”
Ndoshta një nga këto forma “të përshtatshme… për të qënë në krah të njerëzve të thjeshtë dhe të vuajtur” është edhe rikthimi nesër në Kuvend.
(E.L/Faxweb)