Partia Demokratike ka shprehur ngushëllimet, për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga.
“Hajdaraga ishte një kontribuues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.”
Mesazh i PD për vdekjen e Luan Hajdaragës:
Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, protagonist i zhvillimeve të së majtës shqiptare gjatë 28 viteve të fundit.
Hajdaraga ishte një kontribuues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.
Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës.
Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik.
(M.Q/Faxweb)