Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar të gjithë viktimat e komunizmit.
Ai shkruan se rreth 1000 milionë persona kanë gjetur vdekjen nga komunizmi në botë.
Po ashtu ai përmend edhe diktatorin Enver Hoxha, ku shprehet se egërsia kriminale e Hoxhës bëri që shumë shqiptarë të humbnin jetën nga dhuna e regjimit komunist të të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje.
“Gati 100 milionë persona gjetën vdekjen nga komunizmi, të vrarë direkt për qëllime politike ose të vdekur si pasojë e mjerimit që komunizmi solli për miliona njerëz.
Në librin e errët të komunizmit, Shqipëria zë një vend të veçantë për nga egërsia kriminale e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kundër popullit të tyre. Dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën nga dhuna e regjimit komunist shqiptar, të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje. Qindra mijë u burgosën politikisht dhe u internuan në kampe. Një popull i tërë u izolua për afro gjysëm shekulli në karantinën më mizore të mjerimit, shtypjes dhe trushpëlarjes në Europë.
Sot, në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë plotësisht vrasësit dhe kriminelët komunistë, që nuk reflektoi seriozisht kundër ideologjisë, frymës dhe mentalitetit komunist e nuk i preu asnjëherë rrugën kthimit të komunistëve në pushtet.
Është e dhimbshme që ne nuk kemi ende një monument të vërtetë për viktimat e komunizmit, dhe nuk kemi ende një histori të vërtetë të krimeve të komunizmit. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike. Ky është mision i pambaruar, por i palëkundër i Partisë Demokratike,” shkruan Basha. (S.SH/Shuplaka)