PD duket se nuk do të qëndrojë pas asaj që ndodhi disa ditë më parë në Kuvend. Sot PD ka depozituar në Prokurori një padi për kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi për shpërdorim detyre dhe ushtrim i dhunës ndaj deputetëve të opozitës.
Nga ana tjetër PS-ja kërkoi sot përjashtimin e një grupi të deputetëve të opozitës për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Vetë Gramoz Ruçi u shpreh sot se dhuna e ushtruar nga ana e opozitës është e patolerueshme.
“Asnjë opozitë nuk ka kërkuar militantëve të saj që të sulmojnë Policinë për të hyrë në Kuvend. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që të përdoren tymuese ose mjete të tjera në drejtim të drejtuesit të seancës dhe të kryeministrit. Dhe e treta në asnjë seancë më herët nuk ka ndodhur që deputetët të ushtrojnë dhunë ndaj kolegëve të tyre, duke iu marrë edhe kartat e votimit.
Nuk votuan tre deputetë pasi nuk kishin me se të votonin. Në mediat tuaja është deklaruar se kandidatja për prokurore e përkohshme ishte suport i dy deputetëve Manja dhe Felaj. E dini ju që pikërisht këta dy deputetë nuk votuan?! Është normale kjo që dy deputetëve tiu hiqet e drejta për të votuar. Nga ana tjetër ishin dy kolegë që votuan me kartat e deputetëve të tjerë, për shkak se të tyren ua kishin vjedhur”, u shpreh Ruçi më herët.
(E.K/FAXWEB)