Në një lidhje Skype për “Fax News”, gazetari Gëzim Saliu foli sot për protestën kombëtare të partisë Demokratike që do të zhvillohet në 12 nëntor. Sipas Saliut PD po vonohet me “Primaret” dhe procesi po çalon tek mos nxjerrja e kandidatëve, gjë e cila është kundërshtuar nga anëtarët e PL-së dhe vetë Meta.
Saliu u shpreh ndër të tjera se mazhoranca ka ecur shumë përpara duke konfirmuar disa kandidatë për kryebashkiakë.
“Opozita ka paralajmëruar prej kohësh mbajtjen e një proteste, megjithatë ka pasur shumë skepticizëm në radhët e PD-së pas premtimeve që dhanë për protestat që do mbaheshin në vjeshtë. Thjesht besoj ka qenë çështje organizimi dhe e mobilizimit të brendshëm ndërsa partia e Lirisë nga njëra anë ka pasur struktura të reja. PD ka pasur Pimaret për të arritur te kandidaturat. Arritja më e madhe është konsensusi i plotë, siç e vërtetoi zoti Meta dhe zoti Berisha pas takimit që patën midis palëve por edhe me aleatët e tjerë për të pasur një protestë dhe për të treguar që opozita i ka numrat më të mëdhenj përballë mazhorancës së qeverisë dhe për të ndryshuar atë realitet të vështirë që po kalon vendi.
Më shumë sesa faktori ndërkombëtar i qëndroj mendimit tim që ka qenë një organizim i brendshëm se çfarë do paraqiste opozita para shqiptarëve. Pra do kishte një pamje si ajo e 7 korrikut, protestë me pamje të gjerë apo një protestë sa për të thënë që mblidheshin disa njerëz para kryeministrisë. Unë mendoj se synimi kryesor qe ka Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë për të treguar më gjerësisht gjithë palëve se ata kanë një mbështetje të fortë të popullit dhe elektoratit.
Kështuqë mendoj se ka qenë çështje mobilizimi dhe çështje numrash sesa çështje e presionit ndërkombëtar. Ndoshta një çështje që ka qenë disi ndikuese, ajo e vendimit për çështjen e vulës në PD. Kujtojmë që fillim nëntori do merret vendimi se cili do jetë ai, padyshim që do jetë dhe ndikues edhe për vazhdimin e partisë Demokratike.
Para disa kohësh pati disa qëndrime të ndryshme që unë i shikoj normale sepse janë dy parti të ndryshme me njëra tjetrën. Kemi një parti që është e majtë edhe një parti që është krejtësisht e djathtë që për çështje të ndryshme do kenë synime të ndryshme, por mendoj që arsyeja që i bashkon këto parti është aksioni i përbashkët për largimin e kësaj qeverie dhe ardhjen sa më parë në pushtet të kësaj opozite.
Nga ana tjetër ajo që ka çaluar tek partia Demokratike kundërshtohet në zë nga anëtarët e partisë se Lirisë dhe nga vetë Meta. Partia Demokratike po vonohet me Primaret duke qenë se si proces akoma nuk ka nisur në nxjerrjen e kandidatëve. Përballë kësaj super mazhorance që ka nxjerrë kandidatët dhe janë konfirmuar me kriteret kryesore.
Janë disa kandidatë që janë konfirmuar nga ana e mazhorancës dhe janë aty në garën për kryebashkiak. Në këtë kontekst partia Demokratike duhet të jetë më e shpejtuar për nxjerrjen e kandidatëve”-u shpreh Saliu.