Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula tha sot se “viti 2025 nis me raporte ndërkombëtare negative për arsimin. UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, thekson se Shqipëria po përballet me sfida të mëdha në sektorin e arsimit dhe kërkon në mënyrë urgjente rritjen e financimit dhe shpërndarje efikase të burimeve”.
Në një deklaratë për shtyp, Sula tha se “raporti thekson uljen e vazhdueshme të financimeve për arsimin gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2010 në qeverinë e Partisë Demokratike, shpenzimet publike për arsimin përbënin 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë, në vitin 2021, këto shifra ranë 3.1% të PBB-së, me një përkeqësim të mëtejshëm në vitet pasuese”.
“Shpenzimet qeveritare për arsimin për gjithë këto vite janë në një nivel më të ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit dhe ato që mbizotërojnë së shumti janë investime, rikonstruksione, pra tendera korruptivë. UNESCO thekson se “përmirësimi i financimit është jetik për të adresuar sfidat ekzistuese, për të plotësuar kërkesat aktuale dhe për të siguruar arsim cilësor për të gjithë fëmijët”.Raporti nënvizon gjithashtu se pagat e mësuesve janë ndër më të ulëtat në rajon, duke ndikuar negativisht në motivimin dhe cilësinë e mësimdhënies. Ndërkohë që numri i nxënësve ka rënë, kostot për nxënës janë rritur, duke treguar për një shpërndarje joefikase të burimeve”, tha Sula.
Sipas saj, shkurtimi i financimit të arsimit është shembulli më i qartë i braktisjes së nxënësve, mësuesve, pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë.
“Shkurtimi i fondeve për arsimin, kur brenda 10 viteve vetëm në qarkun e Tiranës, janë larguar 22% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç, shpreh strategjinë e shpopullimit të Rilindjes. Qytete universitare si Gjirokastra e Elbasani kanë rënie ekstreme të numrit të të rinjve, me 55 % dhe 49 %, ngjashëm me vendet në luftë”, theksoi Sula.
Sula u shpreh se “Partia Demokratike e ka arsimin prioritet kombëtar dhe thekson premtimin se do ta mbështesë financiarisht me 5% të PBB. Sigurimi i arsimit cilësor dhe trajtimi me dinjitet i nxënësve e studentëve, i stafeve pedagogjike, akademike e ndihmës arsimore, paga mujore 1300 euro në muaj për mësues dhe 2000 euro për lektor, taksa studimi 0, infrastrukturë e plotë digjitale, trajnime falas për mësuesit, do t’u sigurojë të rinjve arsimim cilësor dhe qëndrim në atdhe”.
“Një arsim kombëtar dinjitoz, për një komb të fortë, është premtimi ynë solemn, që do të vihet në zbatim në 100 ditët e para të qeverisjes së PD”, tha Sula.