Dy ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shpalosur edhe njëherë pikat kryesore të programit të tij. Në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, kryedemokrati Basha tha se programi i tij synon rritjen e ekonomisë.
Basha ka treguar se sot Partia Demokratike do të zhvillojë dy mitingje. Në orën 18:00 do të zhvillohet mitingu në qytetin e Durrësit, një miting përmbyllës ky në këtë qark. Po kështu, një orë e gjysmë më vonë në orën 19:30 Basha do të drejtohet drejt Tiranës pasi do të zhvillohet edhe mitingu i fundit i PD-së për këtë fushatë.
“Kemi sot sanksionet më të ashpra ndaj vjedhjes dhe shit-blerjes së votës. Ndaj ne sot jemi në këtë betejë. Për shkak të kësaj disa persona janë penalizuar. Ftoj qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje të lirë, dhe të votojnë ashtu siç duan. Ndërkombëtarët kanë shprehur angazhimin se nuk do të lejojnë asnjë shkelje të standardeve zgjedhore. Ndaj këto orë kritike para zgjedhjeve janë orët e zullumit. Askush mos të bjerrë pre e zullumit të atyre që kanë frikën e humbjes”, u shpreh kryedemokrati Basha. (J.V/Shuplaka)