Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili akuzoi opozitën se kundërshtoi Aktin Normativ mbi qeratë e bizneseve ende pa u publikuar zyrtarisht.
Sipas Bardhit, Rama u kërkon sakrificë vetëm qytetarëve të zakonshëm ndërsa shton se taksat e korrupsionit i ka marrë peng dhe i detyron të mos anullojnë koncesionet dhe PPP.
Bardhi liston një sërë investimesh dhe tenderash që ka planifikuar qeveria dhe me paratë përkatëse të menaxhojë sipas tij situatën e emergjencës.
Reagimi i plotë:
Edi Rama u kërkon sakrificë vetëm qytetarëve të zakonshëm. Qytetarët nuk mund të mbajnë më gjatë barrën e taksës së korrupsionit që qeveritarët kanë futur në xhep. Taksa e korrupsionit i ka marrë peng dhe i detyron të mos anullojnë koncesionet dhe PPP.
Në vend që të sulmojë opozitën që po qendron në krah të qytetarëve në nevojë:
- Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 120 milion euro që ka parashikuar të japë për 12 koncesione dhe jo bukën e mijëra familjeve shqiptare.
- Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 40 milion euro që ka parashikuar për shpenzimet operative të Qeverisë dhe jo të lërë fëmijë pa bukë.
- Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 100 milion euro tendera luksi e të panevojshme dhe jo të fusë në borxh shqiptarët me njëri tjetrin.
Përgjegjësia e Qeverisë është që barrën e pamundësisë së mijëra qytetarëve të mos ua kalojë mijëra qytetarëve të tjerë, që janë po në kushtet e mbijetesës.
Barra duhet t’u kalojë qeveritarëve të korruptuar dhe oligarkëve që hanë milionat e shqiptarëve! Anullo koncesionet dhe PPP! Lëri fjalët boshe në facebook!
(F.GJ/FAXWEB.AL)