I ftuar në emsionion “Konfidencë” në ABC News, zv/kryeministri Niko Peleshi ka rrëfyer për jetën e tij brenda dhe jashtë politikës, emigrimin në Gjermani dhe raportin me prindërit e tij.
“Prindërit nuk kanë dashur që unë të merrem me politikë. Të paktën nëna se babai është ndarë herët nga jeta, që kur unë kisha emigruar në Gjermani dhe fatkeqësisht kam qenë atje. Nëna arriti kohën kur unë u zgjodha prefekt dhe më pas kur kandidova në 2007 në Bashki. Por si çdo prind kur dëgjon ndonjë fjalë të keqe për fëmijën, edhe nëna ime shqetësohej shumë. Sot nuk e di nëse do të ishin krenar…Do të ishin më shumë të shqetësuar”, ka thënë Peleshi.
Sa i përket qeverisë dhe raporteve me Ramën, Niko Peleshi është shprehur: “Në momente të caktuara jam treguar edhe më i vendosur sesa mund të imagjinohet”.
Pjesë e intervistës ka qenë edhe raporti i tij me deputetin Ben Blushi me të cilin ka punuar thuajse tetë vite, kur Blushi ishte deputet i qarkut të Korçës.
“Ne kemi miqësi jo vetëm për punën por edhe për marrëdhëniet e krijuara në vite. Unë di ta ndaj politikën nga miqësia. Në momente të caktuara edhe hidhërohem. Nuk kam pasur atakim personal me Blushin por në fund të fundit unë jam pjesë e një skuadre…Kjo nuk do të thotë se miqësia prishet”, ka thënë Peleshi, i cili bën apel në intervistë për të gjithë klasën politike shqiptare për të qenë më njerëzore. (A.R/SHUPLAKA)