Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero gjatë një interviste për Fax News, ka folur në lidhje me trajtimin me plazëm të pacientëve të infektuar me Covid-19.
Pipero tha gjatë intervistës se nga ky trajtim nuk mund të pritet ndonjë mrekulli, pasi studimet ende nuk janë të plota, megjithëse janë optimiste, se po u trajtove me plazmën e një të shëruari nga COVID-19 do të shërohesh medoemos.
Po ashtu mjeku theksoi se nëse krijohet banka e gjakut me plazmë do të përfitojnë të gjithë pacientët e shtruar, por nëse plazmë nuk do të ketë me bollëk, do të përfitojnë personat që nuk janë në gjendje shumë të rëndë.
“Dua të them që me këtë rast i ftoj të gjithë qytetarët që janë shëruar nga Covid-19 të dhurojnë gjak pa hezitim.
Natyrisht ka protokolle të mirëcaktuar edhe për persona që mund dhe duhet tu ofrohet plazëm si një mjekim aletrnativ i cili përshpejton shërimin e pacientit. Bëhet fjalë për persona të shtruar në spital, për persona nga e mesme në të rëndë.
Natyrisht edhe format e rënda edhe personat që mund të jenë të intubuar, duhet dhe mund tu ofrohet një shans për trajtimin me plazëm, por tek këto persona mundësia për të përfituar është pak më e vogël.
Në rast se do krijohet banka e plazmës do të përfitojnë të gjithë personat e shtruar. Nëse nuk e kemi me bollëk, do të përfitojnë personat që janë në gjendje jo shumë të rëndë, por edhe rasteve të rënda mund t’u jepet një shans.
Sa më shpejt të fillohet aq më mirë është, por jo te persona që janë në gjendje të mirë, pasi nuk ka arsye të përdoret.
Dua të nënvizoj që ne mjekët, por dhe qytetarët, nuk duhet të presim një mrekulli apo çudi nga plazma. Kjo pasi studimet ende nuk janë të plota, që të thonë se po u trajtove me plazëm ke shpëtuar, por evdidencat e deritanishme kanë dëshmuar se përdorimi i plazmës është optimal e kënaqshme.”- tha Pipero.