Aktorja e njohur e “Hollywood”-it, Penelope Cruz, ka bërë një postim mjaft prekës në profilin e saj në “Instagram”. Ajo ka treguar për kohën që ka kaluar me një grua të mrekullueshme, për të cilën thotë se i ka ndryshuar jetën.
Penelope ka postuar një foto ku shfaqet së bashku me Nënë Terezën. Aktorja shprehet se shenjtorja shqiptare i ka ndryshuar jetën dhe se do të jetë gjithmonë në zemrën e saj.
“Duke kujtuar këtë grua të mrekullueshme dhe kohën që kalova me të. Vërtet më ndryshoi jetën! Gjithmonë në zemrën time!”, shkruan krahas fotos Cruz.
Ndërkohë fotoja që besohet se u përket viteve ’90, është pëlqyer nga mijëra ndjekës të aktores dhe është komentuar edhe nga emra të njohur si modelja Naomi Campbell. Aktorja e famshme spanjolle ka punuar dikur si vullnetare për Nënë Terezën në Kalkutë.
Penelope Cruz kaloi disa ditë duke gatuar, pastruar dhe u kujdesur për të sëmurët dhe varfrit bashkë me shenjtoren shqiptare.