Një ligj i ri, “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”, ka hyrë në fuqi për të lehtësuar njohjen e periudhave të punës për qytetarët që kanë shërbyer në këto sektorë, duke i mundësuar atyre të sigurojnë periudha të vlefshme për llogaritjen e pensioneve.
Ky ligj është një mundësi e rëndësishme për ata që kanë punuar para vitit 1994 në ish-kooperativat bujqësore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-ndërmarrjet shtetërore, pasi do të mund të njohin periudhat e punës pa pasur nevojë për dokumente të tjera apo verifikime. Ky proces do të ndihmojë ata që kanë hasur vështirësi në evidentimin e vjetërsisë së punës, si pasojë e mbylljes së regjistrave, gabimeve në shënimet e personave të punësuar, ose mungesës së dokumenteve të plota.
Sipas ligjit të ri, periudhat e punës do të njohën automatikisht për ata që kanë punuar në:
1. Institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore – Nga mosha 18 vjeç deri më 1 tetor 1993, për ata që kanë pasur banim në qytet deri në këtë datë.
2. Ish-ndërmarrjet bujqësore – Nga mosha 18 vjeç deri më 17 tetor 1992, kur është miratuar VKM nr. 452 për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore, për ata që kishin banim në zonat ku funksiononin këto ndërmarrje.
3. Ish-kooperativat bujqësore – Nga mosha 18 vjeç deri më 19 korrik 1991, data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501 për tokën, për ata që kishin banim në fshatrat ku ishin aktive këto kooperativa.
Ky ligj është një hap i rëndësishëm për ata që kanë punuar në këto sisteme dhe që nuk kanë mundur të njohin periudhat e punës për shkak të mungesës së dokumenteve ose gabimeve në regjistrime. Përfitimet nga njohja e këtyre periudhave do të ndihmojnë qytetarët të përfitojnë një pension më të lartë dhe më të drejtë.
Ligji i ri është i aplikueshëm për ata që dalin në pension pas hyrjes në fuqi të tij, si dhe për ata që janë në procese gjyqësore apo administrative për njohjen e periudhave të punës. Të gjithë qytetarët që kanë punuar në profesione të ndryshme në këto sektorë, duke përfshirë ata që kanë pasur pagë të lartë dhe kushte të vështira pune, mund të deklarojnë periudhat e tyre të punës dhe verifikimi do të realizohet nga punonjësit e sigurimeve shoqërore.
Ky ligj vjen si një mundësi e madhe për ata që kanë punuar në sistemet bujqësore dhe shtetërore për të siguruar një pension më të madh dhe një llogaritje të drejtë të periudhave të punës.