Këshilltari për çështjet ekonomike në PD, Dorjan Teli përmes një deklarata ka reaguar në lidhje me reagimin e pensionistëve. Teliti shprehet se pensionet janë rritur gjatë qeverisjes së Berishës, teksa sipas tij Rama i ka zhytyr pensionistët në farfëri, çka sipas tij ka bërë edhe që këta të fundit të reagojnë me zemërim.
Më tej Teliti shkruan se ka vetëm një zgjidhje sot për t’i thënë stop braktisjes, mjerimit, varfërisë dhe sipas tij zgjidhja është propozimi i Partisë Demokratike për vendosjen një orë më parë të minimumit jetik.
Deklarata e plotë:
”Të dashur qytetarë! Mbrëmë në logorenë televizive të radhës, pamë kryeministrin e shfytyruar që iu vu kundër gjithë botës, që nga opozita e deri te pensionistëve që mezi blejnë ilaçet dhe bukën. Revoltën e këtyre të fundit ndaj përgjegjësit kryesor të braktisjes dhe zhytjes në varfëri të 790 mijë pensionistëve shqiptare, e patë qartë mbrëmë në emisionin ‘Opinion’.
I gjendur ngushtë para të vërtetave te hidhura, të shqiptuara nga goja e vetë pensionistëve të vuajtur e te përçmuar, drejtuesi i qeverisë që prej shtatorit 2013, ndezi mikrofonin e propagandës dhe hapi thesin e gënjeshtrave. Pensionistët flasin shqip, e marrin pensionin në lekë, paguajnë në lekë ushqimet ilaçet dhe faturat, dhe çdo llogari dhe krahasim duhet bërë në monedhën kombëtare.
Por Rama i bën llogaritë në euro sepse me këtë monedhë i ruan në bankat offshore ato që u vjedh pensionistëve dhe gjithë shqiptarëve. Duke përdorur në mënyrë të qëllimshme, por tërësisht jokorrekte, dy norma të ndryshme të kurseve të këmbimit, Edi Rama u shpreh se në vitin 2013, vitin e fundit të qeverisë së Sali Berishës, pensionet ishin në masën 100 euro.
Kjo është gënjeshtër.
Në vitin 2013, pas një politikë disavjeçare agresive të rritjes së pensioneve gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, pensionet urbane ishin 140 mijë lekë, apo 140 euro me kursin e sotëm të këmbimit. Gjatë qeverisjes 8-vjeçare të Sali Berishës, pensionet u dyfishuan.
Ndërkohë pyetja për Ramën është: Sa i keni rritur ju pensionet gjate këtyre 12 viteve? Po me çmimet e shportës së ushqimeve çfarë ka ndodhur?
Në këto tre mandate, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të vetë zyrës së statistikave të kryeministrit, pensionet aktuale, përfshirë edhe indeksimin e famshëm prej 4.1% të hyrë në fuqi 1 muaj më parë, pensionet mesatare urbane sot janë jo më të larta se 190 mijë lekë të vjetra, nga 140 mijë që ishin 11 vite më parë.
Aritmetika e qartë dhe e thjeshtë, në këto 3 mandate, pensionet urbane janë rritur me pak se 35 %, ndërkohë që çmimet e ushqimeve janë rritur me nga 2-3 herë në varësi të llojit të produkteve.
Pensionistët janë zhytur në varfëri, ndaj edhe reaguan ashtu mbrëmë në ‘Opinion’.
Kjo është e vërteta, të cilët të gjithë e dinë, pensionistët po e po, se e vuajnë ne kurrizin braktisjen e qeverisë. Më në fund, edhe vetë qeveritarët janë të ndërgjegjshëm për këtë të vërtetë, ndaj edhe kanë marrë misionin politik të takimeve të programuara me regji qendrore me pensionistët dhe sipërmarrësit e vendit, madje edhe duke i kërcënuar këta të fundit.
Të dashur qytetare, lufta ndaj varfërisë nuk fitohet as me propagandë e as me batuta të dala mode. Ka vetëm një zgjidhje sot për t’i thënë stop braktisjes, stop mjerimit, stop varfërisë, dhe zgjidhja është propozimi i Partisë Demokratike për vendosjen një orë më parë të minimumit jetik.
Mundësitë financiare janë, mjafton të hiqet dore nga lukset e shfrenuara qeveritare, nga tenderimet prej qindra milionë euro të paracaktuara dhe pa garë, nga financimi i kontratave koncesionare PPP tërësisht klienteliste dhe korruptive, nga babëzia për të gllabëruar financat dhe pronën shtetërore. Ju faleminderit!”.