Në një kohë kur shumë pensionistë dhe familje në nevojë po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, rritja e pagave të drejtuesve të bashkisë së Durrësit ka ngjallur jo pak pakënaqësi në radhët e qytetarëve, veçanërisht pensionistëve.
“I ka vajtur 290 mijë. Të mos e marrë aq shumë dhe pak nga ato t’ia japë pensionistëve. Do të jetë dhe më e kënaqur dhe do fitojë më tepër popullaritet Emiriana”, shprehet një qytetare.
“Ne dy pensionista me 350 mijë lekë kalojmë muajin. Aq keq sa s’ka. I lutemi Zotit të na bijë goca 50 euro…Mos t’i japin atyre (drejtuesve më shumë), po të na japin dhe ne të lëpihemi nga pak”, thotë një tjetër.
“Ditë për ditë dalim e rrimë këtu dhe presim. Asgjë s’po bëhet. Pse t’i ndajnë veç?! Drejtuesit veç dhe këta veç. Populli nuk do të hajë? Vetëm këta të mëdhenjtë?! Ktheje nga vetja jote, a të del ty dhe pastaj fol sa do e ngresh”, thotë një pensionist.
Mes rritjes së çmimeve, pensioneve të ulëta dhe mungesës së përkrahjes sociale, ata ndihen të pambrojtur dhe të pafuqishëm.
“Ato të bashkisë i kanë rrogat e veta, po ne nuk i kemi mundësitë t’i plotësojmë kushtet. Shumë dobët. Skandal. S’kam koment të flas për këtë”, shprehet një tjetër.
“E padrejtë është mi nëna se nuk na cilësojnë të gjithëve njësoj. Ne pleqtë të vdesim? Nuk na del as për ilaçet. Na ka shtuar një 4 mijë lekësh. Ç’të themi?! Kjo është jeta jonë”, thotë një e moshuar.
“Ajo Sako e ka çuar shumë rrogën e vet… Këta nuk ia kanë rritur as policëve të bashkisë që rrinë gjithë ditën në këmbë. Kur vijnë, vijnë “vdek” në shtëpi…”, shprehet një e moshuar.
“Ne marrim ilaçe. Duam të hamë. Me 130 mijë lekë pension s’na del. Ne duam të na rriten pensionet”, tha një tjetër.
Nga njëra anë, rritja e pagave për drejtuesit e lartë të bashkisë synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve për qytetarët, por nga ana tjetër, për pensionistët dhe grupet vulnerabël, ky vendim është një tregues i mungesës së vëmendjes për nevojat e tyre urgjente.
“Shkon në degë të thonë shko në bashki. Atje të thonë bëj këto dokumenta, kur ti shkon ajo ka ikur nga zyra. E sheh të drejtë ti këtë?! Po çfarë do të bëjmë ne?! Nuk kemi më shpresë. Jo vetëm unë. Të gjithë”, shprehet një tjetër.
Shumë prej tyre i kanë humbur shpresat, ndërsa të tjerë presin që vendimmarrësit e votuar prej tyre të rishikojnë prioritetet për të krijuar politika që i mbështesin, duke ofruar dhe programe ndihme nga buxheti i bashkisë për pensionistët dhe familjet në nevojë që janë në kushtet e mbijetesës.