Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka mbetur shumë i zhgënjyer dhe i habitur me skuadrën e tij pas barazimit 1-1 ndaj Evertonit në shtëpi, në ndeshjen e Boxing Day.
City tani ka fituar vetëm një nga 13 ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe humbi një mundësi të shkëlqyer për të rikthyer formën fituese, pasi Erling Haaland humbi një penallti në pjesën e dytë.
Reagimi i Pep Guardiola-s është mjaft i trishtuar, pasi City jo vetëm që ka humbur terren në garën për titull (të cilën praktikisht nuk po e ndjekin më), por edhe në luftën për të siguruar një vend në top katërshe.
“Luajtëm shumë mirë, por ata janë në një moment kur ndodh kështu.
Krijojmë raste, por pranojmë gol me rastin e parë të kundërshtarit. Megjithatë, duhet të vazhdojmë,” tha Guardiola me një ton të përulur për ‘Amazon Prime’ në Mbretërinë e Bashkuar.
I pyetur nëse vuri re përmirësime në besimin e skuadrës, Guardiola nuk ishte i bindur, por vlerësoi disa aspekte të lojës.
“Po, duhet të përpiqemi. Besimi do të vijë me rezultatet sepse gjithmonë është një çështje mendore. Performanca ndaj kësaj skuadre ishte shumë e mirë. Si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.
Gjuajtëm shumë në zonë, por për fat të keq nuk arritëm rezultatin që dëshironim.”
Për ndeshjen e radhës ndaj Leicester, Guardiola tha:
“Është çështje rikuperimi, kemi vetëm tri ditë. Duhet të shkojmë atje me mentalitetin më të mirë të mundshëm. Vetëm këtë na duhet të bëjmë.”