Një alarm për bombë ka shkaktuar panik sot në shkollën “Turgut Ozal”, ku u krye dhe evakuimi i stafit dhe nxënësve.
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar mbi ngjarjen, ku ka bërë me dije se alarmi për bombë, i ardhur me një email ishte i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës. Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.