Ka zgjatur vetëm pak minuta mbledhja në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku mazhoranca rrëzoi me votat e saj, dekretin e Presidentit Ilir Meta që kërkonte që Kuvendi ta rishqyrtonte ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Kreu i komisionit, Shalsi tha se “beme gjykimin dhe ndryshimet qe i vleresuam te nevojshme. Jemi pro ndertimit te nje teatri te ri”.
Dekreti tani do t’i kalojë Kuvendit dhe futet automatikisht në rendin e ditës, mundet që sot, pasi seanca plenare nis në orën 10:00.
Sipas rregullores së Kuvendit, dekreti i Presidentit futet automatikisht në rendin e ditës dhe në kalendarin e punimeve.
“Në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartuara nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.
(M.Q/Faxweb)