Kabineti i ri qeveritar u betua paraditen e sotme në një ceremoni të shkurtër para Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të cilin një pjesë e tyre kishin hedhur votën pro shkarkimin në legjislaturën e kaluar.
Ndryshe nga herët e tjera të betimit të qeverive, ceremonia nuk u transmetua “Live” për mediat, por pamjet u shpërndanë më vonë nga zyra për shtyp e presidencës. Gjatë ceremonisë ranë në sy disa ‘gabime’ të ministrave të rinj lidhur me procedurën e betimit.
Kështu ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali nuk firmos sipas procedurës.
Ndërsa ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca mjaftohet duke e vendosur dorën në zemër, por jo në Kushtetutë, siç është procedura.
Ceremonia e betimit të qeverisë së re e përbërë në pjesën dërrmuese nga gra, zgjati pak më tepër se 10 minuta, dhe pas saj Rama dhe të zgjedhurit e tij e përshkruan në këmbë rrugën drejt kryeministrisë.