Gazetari Adriatik Doçi reagon pas deklaratave të deputetes Majlinda Bregu, e cila sulmoi mediat mbi lajmin se ajo ka thyer bojkotin duke shkuar në Kuvend.
Sipas gazetarit në lajmin e publikuar nuk ka asgjë të pavërtetë dhe këtë e konfirmon edhe vetë deputetja Bregu.
“Zonja Bregu, ku qëndron pavërtetësia e lajmit “Bregu thyen bojkotin duke shkuar në Kuvend”, kur vetë ju, në reagimin tuaj, konfirmoni se e keni thyer bojkotin në mënyrë të dyfishtë?! Ju vishni me konspiracion dhe me fenomene sociale një konstatim të thjeshtë, duke konfirmuar edhe një herë se flamurin e gënjeshtrës, paradoksit dhe marrëzisë e mban pikërisht politika dhe jo media. Sa i takon pyetjeve që shtroni për kufijtë e bojkotit, ato mund t’ia drejtoni kryetarit tuaj.”, shkruan gazetari.
Nga ana tjetër, në përgjigjen e tij tejet ironike, Doçi shprehet se për Bregun një lajm serioz është se si i ka krehur flokët deputetja.
“Për ju një lajm serioz mund të ishte “Sa bukur i keni krehur flokët në takimin me Zv Ministrin e Jashtëm Estonez”. Megjithatë, unë kam bindjen se ju nuk keni asgjë me mediat, por keni hallin e listave.”, shkruan Doçi.
Deputetja e Partisë Demokratike u shpreh sot kundër mediave në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, kjo për shkak të lajmit që qarkulloi pas takimit të saj me zëvendës ministrin e jashtëm estonez.
“Po banalizoni te verteten! Dhe kjo eshte kriza juaj,jo e imja!
Një sqarim për lajmin “Bregu thyen bojkotin duke shkuar në Kuvend”
E fundit gje qe mund t’i bej vetes eshte ta lejoj te viktimizohet nga disa gazetare, kalemxhinj, thashethemexhinj, injorante politike e gjithe shpuren e ketij soji. Ku doni te dilni me kete lajm qe meqe kam takuar dje Zv Ministrin e jashtem Estonez ne zyre, paskam thyer bojkotin?!
Cilin bojkot?!”, reagon deputetja. (D.D/Shuplaka)