Në një deklaratë për mediat nga Mynihu, kryeministri Edi Rama tha se nuk e kishte dëgjuar çfarë kishte thënë presidenti Emmanuel Macron për negocitat, ndërsa theksoi se nuk duhet të kemi pritshmëri të skajshme por durim.
Në lidhje me donacionet për dëmet e tërmetit, Rama tha se nuk pret ndonjë shumë që të përmbushi të gjitha kostot, por diçka e cila heq një peshë të caktuar.
“Për hir të të vërtetës këtu erdha me një qëllim të madh dhe me një detyrë. Të realizoja sa më shumë kontakte për atë që vjen me konferencën e donatorëve. Tani do të shikojmë rezultatet edhe pse ka orë për të punuar për një reultat pozitiv. Dhe detyra e kryesimit të OSBE-se për vitin 2020 ishte pjesë e takimeve. Në fakt nuk e dëgjova presidentin se isha në një takim tjetër, por nga sa arrita të lexoj mendoj se është një sinjal pozitiv. Unë mendoj se duhet të presim me durim dhe të mos ushqejmë veten me iluzione e dëshira të skajshme por të durojmë si gjithmonë dhe me durim dalëngadalë përmbushim detyrën tonë. Në raport me konferencën e donatorëve kam pritshmëri të konsideruar, nuk bëhet fjalë për të përmbushur gjithë nevojat, por për të hequr një peshë, nëse bëjmë këtë ne jemi të kënaqur, nëse shkon më tej akoma më mirë”, tha ndër të tjera Rama.
Kujtojmë se ditën e sotme, Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se, nëse rezultati i një raporti të Komisionit të Bashkimit Europian, që do të dalë në muajin mars, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ishte pozitiv, atëherë ai do të mbështeste hapjen e negociatave që këto dy vende t’i bashkohen bllokut.
“Ne jemi duke pritur për raportin në muajin mars”, deklaroi Macron.
”Nëse nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne duhet të hapim negociatat”, theksoi Macron në Konferencën për Sigurinë, që po zhvillohet në Mynih
(F.GJ/FAXWEB.AL)