Kryeministri Edi Rama deklaroi se ligji anti-KÇK do të kalojë në Parlament në 2020. Në një deklaratë për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë në Golem, Rama tha se miratimi i këtij ligji u shty për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme pas tërmetit.
“Kemi diskutuar për ato që i keni parë si shtatë priopritetet e qeverisjes deri në mbyllje të mandatit. Pas vitit të ri do kalojmë aktin që u pengua për shkak të gjendjes së emergjencës kundër KÇK”, u shpreh i pari i qeverisë.
Ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse pensionistët do të marrin shpërblime për fundvit. Rama tha se për këtë temë do të diskutohet sërish nesër, ndërsa theksoi se qeveria duhet të tregohet shumë e kujdesshme për të përballuar fazën e rindërtimit.
“Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do të flasim edhe për këtë. Ajo që ndodhi na ka bërë me të kujdesshëm, jo të frenuar. Pensionistët nuk janë kurrë një kategori që ne mund ta harrojmë ose neglizhojmë, por jemi të kujdesshëm sepse duhet të përballojmë rindërtimin dhe duhet të presim edhe rezultatet e Konferencës së Donatorëve”, deklaroi Rama.
Më tej, ai renditi edhe disa prej prioriteteve të tjera që do të ketë qeveria gjatë 2020. Sipas tij, vitin e ardhshëm do të mbyllen fare sportelet.
“Kemi një plan për të nisur rindërtimin. Do të vijojmë punën me paktin për universitetin. Ka nisur procedura dhe në pranverë do të kemi kampusin e madh universitar. Kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës, ndërsa shumë shpejt do të shpallet procedura për rrugën Thumanë-Rrogozhinë. Po punohet dhe besoj se do të shpallet procedura edhe për tunelin e Llogarasë dhe pastaj edhe një sërë veprash të tjera që janë shumë të rëndësishme.
Kemi prioritet edhe shërbimet online. Do të fillojë të hyjë që në janar, qytetarët nuk do të jenë më të detyruar dhe nuk do ta kenë më të mundur që të shkojnë në sportele, por dto t’i bëjnë veprimet online. Në qershor do të jetë vala e dytë dhe në 2020 do të mbyllim përfundimisht të gjitha sportelet duke mbyllur të gjitha kanalet e rryshfeteve dhe të torturave. E fundit është edhe shengeni rajonal, që është një prioritet i rëndësishëm”, deklaroi Edi Rama.