Nga Andi Bejtja*
Këtë mesjavë ndodhi “diçka e vogël”, por nga ato gjëra të vogla që flasin shumë më shumë se të ashtuquajturat gjëra të mëdha. Për mua personalisht, kjo ngjarje është një nga më të rëndat, që nxjerr në pah më shumë se çdo gjë tjetër raportin që ka kjo qeveri me demokracinë dhe median, por dhe vlerësimin që ka ajo për inteligjencën, jo thjesht të shqiptarëve, por edhe ndaj gjithë pushtetit të katërt, që fatkeqësisht e trajtoi ngjarjen si temë rozë.
Në mesjavë këshilltari i Kryeministrit për median, por jo vetëm për median, doli vetë në një spot online, në të cilin njoftonte për hapjen e një portali qeveritar me titullin “trasparenca.al”, një portal që, sipas tij, lindte si nevojë e përgënjeshtrimit të gënjeshtrave të opozitës dhe të disa portaleve online. Një portal që, ashtu si edhe emri, bëhej për hir të transparencës qeveritare. Vetë motivacioni është i pashembullt, i rrezikshëm dhe qesharak në të njëjtën kohë, pikë grumbullimi kooperative e së vërtetës. Një akt as më pak e as më shumë, por thjesht dhe vetëm komunist.
Qeveria, partitë, ministritë kanë foltoret e veta, ashtu sikurse dhe opozita. Dhe flasin e përgënjeshtrojnë aq shumë, e gënjejnë po aq shumë, saqë ua kanë sjellë në majë të hundës të gjithë shqiptarëve. Për më tepër,është e vështirë të shpjegosh se çfarë nevoje ka qeveria për një portal të tillë, kur po kalon në muaj mjalti me shumicën e oligarkëve të medias shqiptare dhe vijën editoriale në shumicën e këtyre mediave pothuajse e gatuan vetë. Ashtu sikurse gatuan vetë dhe politikën e shumë studiove televizive. Atëherë pse? Ka vetëm një shpjegim, paniku.
Jemi në një kohë kur akuzat dhe skandalet për ministrat socialistë po shtohen nga dita në ditë dhe kur gazetarë pranë qeverisë po deklarojnë hapur se PS-LSI janë në luftë. Edi Rama, me fillimin e shenjave të para të krizës PS-LSI, e pa shumë mirë se në kohën e sotme (fatmirësisht) të jesh në muaj mjalti me oligarkët e kapanoneve televizive, nuk mjafton të kontrollosh pushtetin e katërt që sot shtrihet përtej këtyre kapanoneve. Edi Rama, përveç shumë sulmeve bajate ndaj medias shqiptare në vite, ka bërë dhe një kritikë, vëzhgim të cilit edhe sot nuk i hiqet asnjë presje. “Media shqiptare, – ka thënë dikur ai, po e perifrazoj, – është pasqyruese e së vërtetës të njërës apo tjetrës palë, por nuk është në gjendje t’u servirë shqiptarëve të vërtetën absolute që është vetëm një, që mund të jetë përtej këtyre palëve, por edhe mund t’i përkasë njërës prej palëve”.
E pra, në qoftë se si zgjidhje të këtij vëzhgimi realist ka zgjedhur pikërisht këtë portal, ky leksion i zgjuar që ka dhënë për pushtetin e katërt, nuk na paska qenë një leksion demokracie, por një leksion nazizmi.
Pastaj vjen pyetja tjetër: cilin grup synon ky portal? Ministrat, politikanët, anëtarët e opozitës, parlamentin, median? Kjo nuk ka kuptim. Po kë ka si objektiv atëherë, publikun shqiptar? Në qoftëse ka publikun, atëherë ky nuk ka nevojë të paguajë taksa për një portal ku të shikojë se si një ministër, për shembull, i kthen përgjigje një entiteti, një mekanizmi shtetëror që shërben pikërisht për të kontrolluar transparencën qeveritare. Publiku ka nevojë të dijë, për shembull, atë që disa media dhe veçanërisht Fatos Lubonja po e kërkon me kohë: me çfarë parash është rikonstruktuar fasada e kryeministrisë dhe a janë bërë tendera për të? Sa janë donacione të huaja dhe sa janë para të oligarkëve? Ose, për shembull, sa persona paguhen me lekët e taksave tona nga qeveria për të sharë online gazetarët apo eksponentët e opozitës, apo, kohët e fundit, dhe LSI-në? Ose ku i gjeti paratë për një‘ëeekend’ luksoz x ose y ministër? Ose, fundja, sa kushton ky portal qeveritar që, në mënyrë qesharake, por njëkohësisht dhe naziste, ka marrë përsipër transparencën e qeverisë. Kështu po, ky portal ka kuptim, përndryshe është një pesë me hiç.
Është kriminale që shqiptarët të harxhojnë lekë jo për transparencën, po për prezervativin e transparencës. Se ç’mentalitet, ç’qasje kanë këshilltari dhe Kryeministri për median, transparencën dhe të vërtetën tashmë e kemi të qartë. Mbylleni këtë portal, të paktën kurseni lekët e shqiptarëve.
*Shkruar për SYRI.net në 17 tetor 2015