Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka qenë sot në Prokurori për çështjen e Toyota Yaris, që u kapën pak muaj më parë në Durrës.
Balla tha se ndjen keqardhjen për mënyrën sesi është katandisur Partia Demokratike, partia tek të cilët shqiptarët besuan në vitet ’90.
Reagimi i Ballës:
Jam sot këtu për t’i shkuar deri në fund të vërtetës. Më vjen keq që sot në krye të PD-së është një person që mendon se me zhytjen e tij në inskenime duhet të marrë me vete dhe partinë e idealeve të dhjetorit. Ndoshta ju duket pa kuptim që sot mua më vjen keq për PD-në, po realisht e ndjej të nevojshme dhe më vjen keq që të shoh sot se ku është katandisur Partia Demokratike.
Ndërkohë Basha tha: “Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për nxjerrjen e sekretit shtetëror përsa i përket futjes së parave të krimit me Toyota Yaris. Ky veprim dëshmon se deklaratat e mia publike për përfshirjen e Taulant Ballës në këtë çështje janë të vërteta”.
Më tej, Basha shtoi se në këtë çështje “janë të përfshirë edhe Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja”.
“Prokuroria, në vend që të hetojë prapa transaksioneve me euro, e heton si nxjerrje të sekretit shtetëror. Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës, por e kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës, prokuroria po i kalon lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror. Lidhjet e Dakos dhe Tahirit me bandat e krimit të organizuar i trajton si sekret shtetëror. Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika”, deklaroi Basha.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post