Në zgjedhjet lokale të 15 tetorit në Maqedoni, duket se shqiptarët do të garojnë të përçarë. Kjo sepse do jenë dy Aleanca për Shqiptarët që do të kërkojnë votën e qytetarëve.
Njëra si parti Aleanca për Shqiptarët nën udhëheqjen e Zijadin Selës, ndërsa tjetra si koalicion parazgjedhor për zgjedhje lokale, gjithashtu e quajtur Aleanca për Shqiptarët (Uniteti, RDK).
Të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën. Partia Aleanca për Shqiptarët akuzojnë RDK-në dhe Unitetin për përçarje të votës shqiptare.
“Është një tendencë jo njerëzore e dy personave që përfaqësojnë dy subjekte të ashtuquajtura politike, të ndihmuara nga shumë subjekte dhe organe tjera. Tentativa kryesore është që të përçahet vota e shqiptarëve, të krijohet konfuzion dhe amulli me qëllim që të ndalet përqafimi që shqiptarët i bëjnë Aleancës për Shqiptarët. Realisht ky nuk është sulm ndaj Aleancës për Shqiptarët por është sulm ndaj shqiptarëve- deklaroi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër Vesel Memedi i RDK-së, pjesë e Koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet lokale Aleanca për Shqiptarët (Uniteti, RDK) thotë se me partinë Uniteti posedon marrëveshje që koalicioni nga zgjedhjet parlamentare të vazhdojë edhe në zgjedhje lokale.
“Nga ana ime dhe e Gëzim Ostrenit ka pasur një marrëveshje që sido që të vendos LR PDSH, të mbetet ose të largohet, ne mbetemi si koalicion dhe vazhdojmë bashkëpunimin edhe në zgjedhjet lokale. Prandaj nuk kemi çfarë të shtojmë. Është shumë e qartë se dhe e precizuar: Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe ashtu do të garojmë në zgjedhjet lokale dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Logo dhe ngjyra janë të njëjta ashtu si të zgjedhjet parlamentare- deklaroi Vesel Memedi, kryetar i RDK-së
Mirëpo, dy Aleancat janë të regjistruara, njëra si subjekt dhe tjetra si koalicion. Si subjekt politik, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës është regjistruar më 07 shtator 2017 me adresë në Tetovë, ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët (Uniteti RDK) për Komunat Dibër, Gostivar, Çair dhe Kumanovë është regjistruar më 14 shtator 2017 me adresë në Çair, nga personi i autorizuar me emrin Bashkim Memeti. (D.D/Shuplaka)