Kryesia e Partisë Socialiste të Kurbinit është zhvilluar dje në një atmosferë të nervozizimit të fortë, ku nuk kanë munguar fyerjet, përplasjet, deri tek ato fizike.
Ish-Ministrja Lindita Nikolla, edhe pse e pranishme, nuk ka mundur të vendosë paqen. Burime të besueshme nga PS-ja e Kurbinit, bëjnë me dije se debati i ashpër ka lidhje me emrat e kandidatëve për Bashkinë e Kurbinit, shkruan mapo.
Janë propozuar disa kandidatura, por në fund kryesia ka vendosur të pranojë vetëm 3 emra. Kryetarin aktual të Bashkisë, Artur Bardhi, Bernard Palin dhe Majlinda Carën. Propozimet e tjera janë rrëzuar, cka ka sjellë tension të fortë në mbledhje.
Kjo pritet të sjellë pakënaqësi dhe ndoshta carje në strukturën e PS në këtë qytet, që njihet si bastion i Partisë Demokratike, ku herën e fundit fitoi kandidati i qeverisë, për shkak se PD nuk pranoi të garonte përballë tij, duke e konsideruar si subjekt të ligjit të dekriminalizimit.