Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka vazhduar për dy muaj paraburgimin N. D, i cili dyshohet se ka dhunuar mbesën e tij (vajzën e motrës).
Vendimi është marr në seancën e mbajtur më 10 shtator.
Në korrik të këtij viti, ankuesja L.M kishte raportuar në polici se daja i saj, e kishte marr me forcë teksa po kalonte afër shkollës “Mihajl Grameno” në Fushë Kosovë dhe e kishte dërguar në një motel ku e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale.
Gjatë aktit seksual, dhunuesi e kishte regjistruar vajzën e motrës pa vullnetin e saj dhe e kishte shpërndarë xhirimin përmes rrjeteve sociale te disa persona.
Ngjarja kishte ndodhur më 27 qershor në një motel në lagjen “Veterniku” të Prishtinës.
I pandehuri N.D së bashku me familjen e tij gjendet me vendbanim të përhershëm në Gjermani.
Më 26 korrik ai ishte arrestuar në pikën kufitare në Jarinje teksa po hynte në Kosovë për t’i kaluar pushimet verore. Atij fillimisht i ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, nën dyshimet për veprat penale “Dhunim” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Dhunim” dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. Ndërsa vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, dënohet me gjobë ose me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet.
Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për këtë ngajre dhe posedon lëndën e këtij rasti, por për shkaqe të privatësisë nuk e publikon identitetin e plotë të të dyshuarit dhe të viktimës.