Një ndërtesë e pabanueshme u përfshi nga flakët pasditën e së hënës në lagjen Kala në Elbasan. Përhapja e zjarrit ishte e madhe, aq sa rrezikoi edhe ndërtesat e një biznes bar- kafe aty pranë.
Zjarri shkaktoi panik në zonë, aq sa qytetarë të shumtë ndoqën me shqetësim fikjen e zjarrit nga efektivet e zjarrfikëses. Terreni ishte i vështirë pasi zjarrfikëset pengoheshin nga muri rrethues i kalasë, ndërsa aty pranë gjendeshin edhe shkurre të shumta.
Tre mjete zjarrfikëse asistuan në situatën e vështirë të krijuar nga flakët, ndërsa shtëllungat e tymit që çliroheshin në ajër ishin mjaft të dendura. Zjarri u vu nën kontroll vetëm pas 30 minutash, ndërsa policia nga ana e saj ka nisur hetimet për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një rast aksidental apo të qëllimshëm.
(F.GJ/FAXWEB.AL)