Analisti nga Agron Gjekmarkaj, në një artikull me titull “Rudina Hajdari dhe pse vajza e Azemit”, ka komentuar përfshirjen në listat e PD-së të vajzës së Azem Hajdarit, Rudina Hajdarit.
Sipas Gjekmarkajt, ajo nuk është zgjedhur thjesht për shkak të babait të saj të ndjerë, por edhe për shkak të CV-së së saj ët larmishme.
“Ndoshta një tjetër me të njëjtat cilësi nuk do të ishte, por as Rudina mbase nuk do të ishte pa ato veti thjesht si e bija e babës. Duke lexuar CV-në e saj, vëren se në të spikat një shkollim shumë cilësor në SHBA, në universitete tejet prestigjioze, si dhe eksperienca pune të lakmueshme, po të kemi parasysh moshën, duke filluar nga Kongresi Amerikan e në të tjera përvoja. Rasti i saj në një këndvështrim ngjason me atë të Teuta Rugovës në Kosovë, e bija e Ibrahim Rugovës, prijës më shumë se politikan.”, shkruan analisti.
Gjekmarkaj i uron më tej suksese Rudina Hajdarit, duke thënë se kjo ka qenë se së shpejti ajo nuk do njihet thjesht si “vajza e Azemit” por si Rudina Hajdari.
SHKRIMI I PLOTË
Përfshirja e Rudina Hajdarit në listat e PD-së për deputetë menjëherë ta sposton kujtesën tek i ati, Azem Hajdari. Shumëkush në vegimin e parë mendon: gjë e fisme, një respekt për kryetarin e parë të kësaj partie. Vetvetiu arsyetimi shqiptar i stërvitur me lidhje të shkurtra tenton të ndalet veç në këtë pikë. Do të ishte një gabim! Po, Rudina Hajdari është në këtë listë edhe si vajza e Azemit, por jo vetëm për këtë fakt.
Ndoshta një tjetër me të njëjtat cilësi nuk do të ishte, por as Rudina mbase nuk do të ishte pa ato veti thjesht si e bija e babës. Duke lexuar CV-në e saj, vëren se në të spikat një shkollim shumë cilësor në SHBA, në universitete tejet prestigjioze, si dhe eksperienca pune të lakmueshme, po të kemi parasysh moshën, duke filluar nga Kongresi Amerikan e në të tjera përvoja. Rasti i saj në një këndvështrim ngjason me atë të Teuta Rugovës në Kosovë, e bija e Ibrahim Rugovës, prijës më shumë se politikan.
Edhe Teuta gjithashtu një pikëtakim fatlum, ku kujtimi i Rugovës bashkohet me shijen e mirë e të përkorë që lë e bija. Jo gjithmonë dinastitë politike, artistike, intelektuale e profesionale funksionojnë, madje ka të tilla që janë shfaqur zhgënjyese deri në banalitet. Askush nuk i njeh fëmijët e De Golit nëse ka të tillë, Margaret Theçerit, Helmut Kolit etj. Në Ballkan, ndjesia e trashëgimisë dhe legjitimitetit nëpërmjet saj është e fortë; Si tipike mund të merret Greqia me familjet Papandreu e Micotaqis.
Në vendin tonë pasardhësve të Ahmet Zogut, megjithëse Mbret, nuk iu la asnjë hapësirë, përkundrazi, u luftuan aq shumë, sa u pranuan vetëm kur nuk përbënin më asnjë rrezik politik për palët. Për Azem Hajdarin është folur e shkruar shumë dhe kjo është një sagë pa ndërprerje. Ai hyri në shqisat e një shoqërie skematike kësisoj për traditë e ku për imponim politik si një personazh atipik, i cili në pak muaj u shndërrua në personalitet. Dy fjalë për Azemin duhen thënë për t’i kujtuar diçka të bijës dhe jo për ta përkufizuar atë, sepse në vende te tjera kjo punë është bërë shumë më mirë se në këtë artikull. Azem Hajdari erdhi nga rrethinat, nga skajet e vendit dhe diti t’i imponohej Tiranës në kapërcyellin e viteve ‘90.
Paçka se kryeqytet i varfër e plot paqartësi, gati në kufijtë e kaosit te sfera e paragjykimeve krahinore, politike, shoqërore të konsoliduara nga një propagandë 46-vjeçare, shfaqej bollshëm i pasur. Gati si një digë që nuk çahet nga shume vërshime, ku mbetjet e saj ende vende-vende ruajnë lartësi muri edhe sot. Duhej një “arrogancë” pozitive dhe disa cilësi të tjera karakteri, shpirti dhe inteligjence për t’u shndërruar në pikë referimi, aq sa për të dyshuar se pas çdo grumbulli të madh njerëzish, në mes do të gjeje Azem Hajdarin. Njerëz kësodore identifikohen me kauzat dhe armiqësohen lehtë me pushtetin. Karrigia nuk është pika e tyre e fortë.
Azem Hajdari me sa thonë kishte nderim për Sali Berishën, por nuk përtonte, siç faktet e dëshmojnë, të përballej me të e të ndëshkohej për aktet e veta, të përjashtohej nga këshilli kombëtar e të ndalohej të hynte në sallën e mbledhjeve nga badigardët e Tritan Shehut, asokohe kryetar formal i PD-së. Gjithmonë i rrethuar me njerëz të cilët i besonin dhe mbi të gjitha e donin cep më cep të Republikës, pavarësisht kurbës së qeverisë e gjeje atë. Në vitin 1997, kur PD ra në opozitë, nga një kryengritje në të cilën bashkoheshin gabimet e qeverisë së djathtë për piramidat, zgjedhjet e 26 majit e shfaqje të tjera autoritare, por edhe nostalgji komuniste e spikama të Sigurimit të Shtetit, teksa shikonte të tjerë që iknin me vrap duke braktisur anijen që mbytej, kthehej në krah të Sali Berishës dhe PD-së duke inkurajuar mbijetesën dhe ringritjen e saj nga hiri.
Ata që ikën u rikthyen prapë. Ata që qëndruan po ikin tani. Azemi i kaloi këta qiej afër tokës dhe u ngjit në më të epërmin, aty ku të zakonshmit nuk trokasin dot me virtytet dhe veset e veta. E pagoi me jetë duke u kujtuar sui generis gjithmonë për këtë. Ndodh shpesh kështu, historia e civilizimeve na e mëson këtë që kauzat dhe betejat i bëjnë idealistët, ndërsa servilët, llokmaxhinjtë, gratë gazmore, hajdutët të lënë pendët për t’u rikthyer pas kiametit me buzëqeshjen e tyre sa të nënshtruar, aq të zbërdhylët si melhem i përjetshëm mbijetese.
Ndërsa Rudina vjen nga një tjetër histori dhe ndryshe. Aty ku tragjedia familjare zë fill, bash aty dëgjohet thirrja e “gjakut”, që emri i Azem Hajdarit duhet nderuar së pari nga fëmijët e tij, aty krenaria “provokohet” dhe e bija vendos të meritojë thënien e vjetër “bëmë baba të të ngjaj”. Rudina nuk vjen nga rrethinat e as nga skajet. Ajo ka ikur nga qyteti i vogël Kryeqytet, drejt metropolit të botës. Atje është rritur, atje ka studiuar, atje ka krijuar familje, atje e ka vënë veten në provë dhe ka fituar. Me autoritetin që të jep fitorja dhe suksesi i marrë me djersë e jo nga biografia, se asobote pak fort duan t’ia dinë për Shqipërinë tonë të vogël.
Rudina kthehet e rritur, me historinë e saj personale për t’iu “imponuar” Kryeqytetit, pasi ka kaluar provën e metropolit të vërtetë. Ajo ka emrin e vet, ndonëse e re, por nëse nga babai merr disa cilësi si antikonformizmin dhe trimërinë për të folur kur të tjerët heshtin, për të kritikuar kur të tjerët lëvdojnë, për të reaguar kur konformizmi është më fitimprurës, sigurisht do të jetë e duartrokitur nga Azem Hajdari, nga demokratët dhe të tjerët. Për gjeste e sjellje te tilla, tendencën kudo e ka armike, ndërsa aleat ka kujtimet.
Nga ne dita e punës fillon me brohorimën, shefi është gjeni dhe terezitet pasdite me vikamën pa thagmë gjeni është shefi, një servilizëm otoman karakteristikë e një vendi ku karriera, përfaqësimi, vendi i punës varen vetëm prej dëshirash individuale dhe jo nga korniza demokratike dhe tutela e ligjit. Kështu, ajo nuk do të jetë një numër si shumë të tjerë në atë Parlament, kështu anipse vajza e Azem Hajdarit do të identifikohet shumë shpejt si Rudina Hajdari. Suksese Rudina! Sidomos në këtë rast Lulzim Basha ka bërë zgjedhjen e duhur. (D.D/Shuplaka)