Pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka ardhur edhe reagimi i parë nga ana e “Shtëpisë së Lirisë”. Me anë të një deklarate zyrtare, nënkryetarja e PD në Shkodër, Irena Shestani ka shprehur falenderimin ndaj qytetarëve shkodranë për pjesëmarrjen në votime dhe ndaj komisionerëve për angazhimin gjatë procesit zgjedhor.
Më tej, Shestani ka bërë thirrje që të vazhdohet rregullisht me procesin e numërimit sipas ligjeve në fuqi.
Irena Shestani, nënkryetare e Partisë Demokratike, Shkodër:
Në mbyllje të proçesit të votimit për zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës, në emër të opozitës, të opozitës së vërtetë që u faktua në këto zgjedhje, falenderojmë shkodranët për pjesëmarrjen.
Pavarësisht problematikave të njohura tashmë, me votën e tyre ata treguan qytetarinë dhe përgjegjshmërinë e tyre të lartë për Shkodrën.
Falenderojmë të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit e qendrave të votimit për angazhimin në këtë proçes, për punën e palodhur dhe seriozitetin e tyre që meriton vlerësimin tonë më të lartë.
Shkodranët e kanë shprehur vullnetin e tyre me votë. Tashmë, nis një proces shumë i rëndësishëm.
Procesi i dorëzimit të kutive pranë KZAZ- ve dhe numërimi i votave, duhet të kryhet me rigorozitet dhe në zbatim të procedurave ligjore.
Kërkojmë nga antarët e KZAZ- ve, numëruesit dhe vëzhguesit, të nisin dhe të përfundojnë këtë proces në frymën e Kodit Elektoral, të ligjeve në fuqi për të respektuar vullnetin e shkodranëve deri në numërimin e votës së fundit.
Ky ka qenë reagimi i parë nga ana e “Shtëpisë së Lirisë” ndërkohë që ish kryeministri Berisha nuk është deklaruar ende personalisht.
Celibashi shpall rezultatin paraprak për Vorën, sa vota kanë marrë kandidatët
(B.V/Faxweb.al)