Ka përfunduar numërimi i votave për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa rezultati është si më poshtë:
Bujari Spahiu 59 vota
Ylli Gurra 26 vota
Gramoz Glliku 2 vota
Duke parë rezultatin e thellë të votimit, nuk ka nevojë për një raund të dytë dhe Spahiu është zyrtarisht kreu i ri i KMSH-së.
Spahiu deri më tani kishte mbajtur postin e nënkryetarit të KMSH-së, ndërsa me tërheqjen e Skënder Bruçës ai u pa si kandidati favorit.
Procesi është shoqëruar dhe me akuza politike, teksa ish-kryeministri Sali Berisha deklaronte se Ylli Gurra ishte kandidati i preferuar i mazhorancës dhe për të po lobohej fortë nga disa deputetë të PS-së.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman për zgjedhjen e kryetarit të ri nisi në orën 10:30 tek Medreseja e Tiranës.
Nga gjashtë kandidatë mbetën vetëm tre pas tërheqjes nga gara të kreut aktual, Skënder Bruçaj dhe Myftiu të Kukësit, Islam Hoxha, si edhe përjashtimit të imamit të xhamisë së Golemit, Gëzim Abdishahi pasi nuk plotësonte kriteret për të qenë kandidat.
Tre kandidatët në garë paraqitën fillimisht platformën e tyre për drejtimin e KMSH-së dhe më pasi nisi procesi i votimit.
Përfaqësues të OSBE dhe ambasadës amerikane po monitorojnë zgjedhjet e KMSH.
Kryetari i zgjedhur sot në KMSH Bujar Spahiu u shpreh:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë! Ju, sot më keni nderuar, por njëkohësisht më keni vënë përpara një vështirësie të madhe. Unë i lutem Zotit të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë. Të nderuar anëtarë, ju lutem shumë edhe juve, lutuni për mua, lutjuni Zotit që të ma bëjë më të lëhtë këtë barrë.
Të nderuar përfaqësues të Komiteti Shtetëror të Kulteve ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë proces! Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush se, do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njëriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim do ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.
Të nderuar përfaqësues dhe partnerë ndërkombëtar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë kontribues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi, Ne si myslimanë jemi përgjegjës përpara Zotit për përhapjen e paqes dhe dashurisë jo vetëm midis besimtarëve tanë, por për përçimin e paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore.
Të dashur besmitarë dhe besmitare mysliman të Shqipërisë, unë nga sot, nuk do ta ndiej veten si kryetari juaj, por do të jem, me ndihmën e Zotit, shërbëtori besnik i Kuranit Fisnik, dhe traditës profetike. Na takon më shumë neve, sëbashku, t’i përkushtohemi punës, të cilën na urdhëron Allahu XH.SH në Kuranin Fisnik për të çuar në zemrën e çdo njeriu mesazhin paqësor të islamit. Na takon më shumë ne që t’i dedikohemi detyrës së madhe që kemi përpara.
Feja jonë është feja e paqes dhe shpresës! Vendi ynë ka nevojë për më shumë paqe dhe shpresë, Ne, me ndihmën e Zotit, do të punojmë për t’i dhënë rinisë, të varfërve, jetimëve, të moshuarve… më shumë paqe dhe shpresë.
Të dashur besmitar dhe qytetarë të vendit tim, të përpiqemi që secili prej nesh, të vendosë një balancë midis kësaj bote dhe Ahiretit (botës së përtejme).
Të balancojmë vrapin drejt kapitalit financiar në kurriz të kapitalit moral.
Të bëhemi më humanë, të rendim vetëm pas hallallit. Të ndajmë nga pasuria jonë për të varfërit, jetimët, të moshuarit, të sëmurët.
Të ruajmë dhe të forcojmë familjen, familja është vlera e shoqërisë tonë, familja është traditë profetike, ta ruajmë atë.
Vëllezër dhe motra besimtarë t’i lutemi Zotit të na forcojë besimin. Besimi në Zot është i vetmi besim që nuk zhgënjen!
Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve!
Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
O Allah, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë ,Na udhëzo në rrugën e drejtë, na udhëzo në rrugën e atyre të cilët I ke begatuar me besimin dhe adhurimin vetëm ndaj Teje.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post